Agjenda ishte planifikuar e gjithçka ishte gati për nisje e pritje, por vizita e ministrit Xhelal Sveçla në Luginë të Preshevës nuk arriti të realizohet.
Mbrëmë ca orë para mesnate, autoritetet e Serbisë kanë refuzuar kërkesën e ministrit të brendshëm që të hyjë andej kufirit.
Të enjten me reagim doli vetë Svecla, i cili tha se ky refuzim pa asnjë shpjegim nga Serbia është dëshmi e qasjes destruktive dhe shtypjen e shqiptarëve të Luginës.
“Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës. Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta. Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
E, ai i cili ia ka bërë ftesën ministrit, tregon për agjendën e vizitës që nuk ndodhi.
“E kemi konsideru që është vizitë e rëndësishme për qytetarët e Luginës së Preshevës për të parë për së afërmi gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas agjendës, ministri është dashur ta vizitojë fillimisht komunën e Medvegjës, t’i takojë përfaqësuesit politik dhe përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar, pastaj në Bujanoc e në Preshevë”, tha Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar në Luginë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thotë se Serbia po tenton të shkëpusë lidhjet e shqiptarëve atje me Kosovën.
“Është një praktikë që Serbia po e praktikon, edhe herave të fundit, ku përveç që i refuzon këto vizita i refuzon në momentin e fundit. Normalisht kjo tregon edhe një formë tjetër të diskriminimit, për shkak që ky shtet është i interesuar që t’i mbajë larg lidhjet tona me Kosovën e që Kosova është gjithçka në raport me ekzistimin tonë”, tha Luftiu.
Për këtë vendim të Serbisë, që Kosova e konsideron në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, Dukagjini ka pyetur Bashkimin Evropian, por nuk ka marrë përgjigje të enjten.
Ky nuk është refuzimi i parë i vizitave të ministrave të Qeverisë Kurti, të cilët kanë paraqitur kërkesa për vizita në Luginë.