Kalimi i fazës së parë drejtë anëtarësimit në Këshillin e Evropës, nga Kosova, nuk i ka pëlqyer Serbisë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, e kritikoi votën e Malit të Zi pro Kosovës në KiE, duke thënë se nëse në të ardhmen do t’i nevojitet vota serbe, ata nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
“Mali i Zi të paktën mund të ishte i përmbajtur.” Ne duhet të veprojmë në mënyrë reciproke. Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës. Edhe ata do të kenë nevojë dikur për votën tonë, në të cilën sigurisht nuk do të mund të llogarisin”, tha kreu i diplomacisë.
Daçiq nuk e priti mirë edhe abstenimin e Ukrainës, duke thënë se është tejet i befasuar. Po ashtu, ai e kundërshtoi edhe votën abstenuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, a ka pasur ndonjëherë në fjalimin tim rast që të mos përmendim integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës? Tash kur dikush të na pyes, ne do të përmbahemi. Pra, pse ne do të ishim për integritetin territorial të Bosnjës dhe ata të abstenojnë”, ka deklaruar më tej Daçiq.
I befasuar Daçiq është shprehur edhe për abstenimet e Greqisë dhe Sllovakisë.