Disa përdorues të rrjetit social Twitter, të cilët pretendojnë të jenë pjesë e grupit ndërkombëtar të hakerëve, Anonymous, morën përgjegjësinë për rrëzimin e ueb-faqes zyrtare të Ushtrisë së Serbisë, disa ditë pasi e paralajmëruan presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se e kishin vënë atë në shënjestër.
Ueb-faqja e Ushtrisë serbe ishte jashtë funksionit në mëngjesin e 5 janarit. Përdoruesve iu shfaq një mesazh, i cili i njoftonte ata për një problem, për shkak se serveri, në të cilin ndodhej ueb-faqja, nuk po komunikonte.
Më vonë, gjatë ditës, qasja në ueb-faqe u normalizua për përdoruesit nga Serbia, raporton rel.
Disa orë më herët, një llogari në Twitter, nën emrin Anonymous, informoi për rënien e ueb-faqes së ushtrisë serbe, me një paralajmërim për presidentin e Serbisë, që të mos e nënvlerësonte grupin.
Më 5 janar, llogaritë nën emrin Anonymous, po ashtu, pohuan se kishin sulmuar ueb-faqen zyrtare të Vuçiqit, predsednik.rs. Radio Evropa e Lirë nuk ka hasur në ndonjë vështirësi për t’u qasur në atë ueb-faqe.
Grupi i hakerëve Anonymous është i decentralizuar, nuk ka udhëheqje formale, dhe as ueb-faqe apo llogari zyrtare në rrjetet sociale. Një kërkim në Twitter, për shembull, shfaq mijëra llogari, përdoruesit e së cilave prezantohen si pjesëtarë të këtij grupi, por është e pamundur të përcaktohet nëse ata vërtet janë.
Anonymous pohon se po kryen veprime nga bindja dhe aktivizmi politik. Publiku zakonisht e njeh këtë grup nga maskat e tyre të bardha, me një buzëqeshje, që paraqesin personazhin Guy Fawkes, një rebel anglez nga shekulli XVI, i cili u bë i njohur falë Alan Moore dhe novelës së tij grafike “V for Vendetta”.