Në Serbi sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në të cilat qytetarët votojnë për zgjedhjen e 250 deputetëve të Kuvendit. Në këtë garë, listat studentore pritet të sfidojnë pushtetin e Aleksandar Vuçiqit.
Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Të gjithë qytetarëve që në momentin e mbylljes ndodhen brenda vendvotimit ose në radhë për të votuar, do t’u mundësohet ta ushtrojnë këtë të drejtë.
Sipas raportimeve të para, në disa vendvotime janë krijuar radhë që në minutat e para pas hapjes.
Vëmendja në këto zgjedhje është përqendruar edhe te lista studentore dhe rezultati që mund të arrijë përballë pushtetit të Vuçiqit.
Ndërkohë, partitë shqiptare në Luginën e Preshevës garojnë në këto zgjedhje me një listë të përbashkët, me synimin për të siguruar përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.
Në prag të votimit, figura të shumta politike, institucionale dhe publike nga Kosova u kanë bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të dalin sa më masivisht në zgjedhje dhe të mbështesin listën e përbashkët shqiptare.
Thirrjet për pjesëmarrje u janë drejtuar edhe qytetarëve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, duke i ftuar të udhëtojnë drejt vendlindjes për të votuar. Pjesëmarrja e tyre është cilësuar si e rëndësishme për fuqizimin e zërit të shqiptarëve dhe përfaqësimin e kërkesave të tyre në institucionet e Serbisë.