Serbia “zyrtarizoi dështimin e dialogut” me letrën në Bruksel

Pas letrës në fjalë, zyrtarët e BE-së kanë pranuar se tash kjo paraqet “një situatë shumë më serioze në procesin e dialogut” dhe kanë pranuar se kjo gjë ka shkaktuar një dozë të madhe të shqetësimit në BE

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq

Një letër e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo konfirmon se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, paraqet herën e parë që ky shtet me shkrim deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje.

Edhe më parë zyrtarët nga Serbia, përfshirë edhe presidentin Aleksandar Vuçiq, kanë deklaruar publikisht se nuk do t’i zbatojnë ato pjesë të marrëveshjes, të cilat i konsiderojnë si “shkelje të interesave kombëtare të Serbisë”. Mirëpo, zyrtarët nga Brukseli të përfshirë në dialog, i kanë injoruar ato duke konsideruar si “deklarata për konsum të brendshëm”. Ata shpreheshin se, “nuk ka rëndësi çfarë thonë publikisht, por se presidenti Vuçiq do t’i zbatojë të gjitha pikat” siç ka premtuar në takimet me ta në kuadër të dialogut.

Por, kësaj radhe edhe për ta, një shprehje e qëndrimeve me shkrim nga ana e kryeministres së Serbisë, ka qenë një befasi.

Pas letrës në fjalë, zyrtarët e BE-së kanë pranuar se tash kjo paraqet “një situatë shumë më serioze në procesin e dialogut” dhe kanë pranuar se kjo gjë ka shkaktuar një dozë të madhe të shqetësimit në BE.

“Ndoshta për Serbinë kjo mund të duket si diçka e dobishme për shkak të zgjedhjeve më 17 dhjetor. Por, Serbia duhet ta dijë se vjen edhe 18 dhjetori dhe ditët në vijim, e obligimet mbeten. Kjo nuk do të kalojë aq lehtë te vendet anëtare të BE-së”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i lartë evropian.

Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e kishin arritur më 27 shkurt të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndërsa, më 18 mars ishin pajtuar në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes. Por, ato marrëveshje nuk u nënshkruan pasi një gjë e tillë u refuzua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mes tjerash marrëveshja kërkon respektimin e integritetit territorial mes palëve ndërsa neni 4 i saj, i cili tash është problematik për Serbinë, parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Pra, përmendet në mënyrë decidive se fjala është për të gjitha organizatat ndërkombëtare. Ndërsa, Serbia në letrën e kryeministres Bërnabiq drejtuar BE-së thotë se nuk do të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB apo në organizatat dhe agjencitë që ekzistojnë në kuadër të OKB-së.

Është interesante se si letra nga kryeministrja e Serbisë, e që kishte për qëllim shprehjen e rezervave për deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor, nuk ishte adresuar te Charles Michel, president i Këshillit Evropian, i cili ishte organizator i samitit e 13 dhjetorit, por i ishte dërguar drejtorit menaxhues në Shërbimin e veprimit të jashtëm të BE-së.

Diplomatët në Bruksel mendojnë se në këtë mënyrë ndoshta Serbia ka dashur t’i shmangë pasojat e kësaj letre, por këtë nuk e ka arritur, sepse letra u është dhënë edhe vendeve anëtare dhe konsiderohet si qëndrim i Serbisë.

Bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë kanë thënë se “asnjëherë deri më tash në komunikim zyrtar mes Serbisë dhe BE-së nuk është përdorur një gjuhë aq e ashpër rreth obligimeve nga dialogu”.

Eksperti Toby Vogel nga Këshilli për Politikë dhe Demokraci (DPC), nuk është i befasuar me këtë qëndrim të Beogradit dhe mendon se tash, me shkrim, Serbia de facto e ka sjellë dialogun para dështimit.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë dëshpëruese duan të besojnë se Marrëveshja nga Ohri është e vërtetë, se Serbia dhe Kosova janë obliguar për t’i normalizuar raportet, edhe pse ekzistojnë shumë fakte për të dëshmuar se nuk është ashtu”, thotë Vogel për Radion Evropa e Lirë.

“Për një kohë të gjatë është e qartë se dialogu de facto ka dështuar dhe se ai po përdoret vetëm për menaxhimin e krizave. Me këtë letër, Serbia de facto e ka zyrtarizuar dështimin e dialogut”, shton Vogel.

Ai rikujton se si diplomatët evropianë shpesh i kanë injoruar deklaratat e ndryshme të zyrtarëve të Serbisë se nuk e kanë ndërmend të respektojnë marrëveshjen, duke thënë se ato janë për qëllime të brendshme në prag të zgjedhjeve.

“Tash, për herë të parë kemi një letër nga niveli më i lartë, ku thuhet se ata e hedhin poshtë vetë bazën mbi të cilën është ndërtuar dialogu – gjetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve që nënkupton de facto njohjen e Republikës së Kosovës. E kam vështirë të besoj se pas kësaj letre BE-ja dhe SHBA-ja të mund t’i kthehen thjesht punës së përditshme rreth dialogut, edhe pse besoj se do të tentojnë të veprojnë ashtu”, thekson Vogel.

Pavarësisht faktit se Marrëveshja e arritur nuk është nënshkruar, nga BE-ja konsiderohet si ligjërisht obliguese prej momentit kur me shkrim për arritjen e saj ka njoftuar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Burimet e BE-së kanë sqaruar se vlerësimet për natyrën obliguese të marrëveshjes janë në përputhje me nenin 11 të Konventës së Vjenës për ligjin rreth traktateve, i cili thotë se “pajtimi i një shteti që të obligohet me një marrëveshje mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë marrëveshje, ratifikim, pranim, miratim apo me çfarëdo mjeti tjetër, nëse ashtu pajtohen”.

Të njëjtat burime kanë thënë se palëve në Ohër kjo mënyrë e dhënies së pëlqimit u ishte sqaruar hollësisht, dhe të dyja palët u pajtuan dhe nuk kundërshtuan, në praninë e përfaqësuesit të lartë dhe të dërguarit për dialog.

Përfaqësuesit e BE-së kanë thënë se kishin propozuar disa rrugë të tjera për të shprehur pëlqimin e palëve për marrëveshje, por ato ishin refuzuar dhe vazhdojnë të refuzohen nga të dyja palët.

Lidhur me letrën e Serbisë ka reaguar edhe zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, i cili ka përsëritur se të dyja palët kanë marrë obligim që në tërësi ta zbatojnë marrëveshjen.

“Bashkimi Evropian përsërit se marrëveshja është ligjërisht obliguese në tërësi për të dyja palët: Implementimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë Stano.

Sipas tij, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së më 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrim konsistent i BE-së dhe i komunikuar publikisht në disa raste”, ka thënë ai.

Por, përpos deklaratave verbale Serbia edhe me veprime ka dëshmuar se nuk e respekton në tërësi Marrëveshjen e Ohrit. Ajo edhe pas arritjes së kësaj marrëveshjeje ka votuar në Këshillin e Evropës kundër nisjes së procedurës për anëtarësimin e Kosovës.

Obligimet e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen dhe aneksin e saj pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të bëhen pjesë përbërëse edhe e Kornizës negociuese për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian./REL

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika