Shtatë oligarkë rusë kanë vdekur së fundmi në rrethana misterioze. Megjithëse zyrtarisht dyshohet për vetëvrasje, spekulimet për përfshirjen e Kremlinit janë të shumta.
“DW” ka raportuar mbi ditën e telefonatës së djalit të një oligarku rus, ditën e 19 prillit. Në “Lloret de Mar” të Katalonisë, policia spanjolle mori një telefonatë nga Fedor Protosenya, djali i një oligarku rus, familja e të cilit zotëron një vilë në atë zonë. Ai ishte përpjekur të telefononte me orë të tëra nënën nga Franca, por askush nuk i ishte përgjigjur telefonatës së tij.
Kur policia kishte arritur në pronën e familjes, ata kishin gjetur trupat e pajetë të prindërve dhe të motrës së Protosenyas.
Policia fillimisht kishte supozuar se babai i tij, milioneri Sergei Protosenya, kishte goditur me thikë dy gratë dhe më pas ishte varur në kopshtin e vilës. Mirëpo, nuk vonoi shumë që të shfaqen dyshime të tjera mbi ngjarjen.
Para 24 orësh, policia në Moskë, rreth 3,000 kilometra larg qytetit bregdetar të Spanjës, gjithashtu, bëri një zbulim të tmerrshëm.
Një tjetër milioner, Vladislav Avayev, gruaja e tij dhe vajza 13-vjeçare u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass”, raportoi se Avayev kishte një pistoletë në dorë. Ai dyshohet se ka qëlluar gruan dhe vajzën përpara se të vetëvritej.
Të dy incidentet kanë ndodhur brenda 24 orëve dhe rrjedhjet e ngjarjeve janë jashtëzakonisht të ngjashme. Vlen të përmendet që Protosenya dhe Avayev ishin të dy oligarkë multimilionerë nga radhët më të larta të industrisë ruse të naftës dhe gazit. Protosenya ishte nënkryetar i kompanisë së gazit natyror “Novatek”, ndërsa Avayev shërbeu si nënkryetar i “Gazprombank”.
Vdekja e tyre ishte e fundit në një seri vdekjesh misterioze të oligarkëve rusë, kryesisht nga sektori i energjisë, që kanë ndodhur brenda vitit 2022.
Një muaj përpara se trupat ruse të pushtonin Ukrainën, Leonid Schulman, një menaxher i nivelit të lartë në Gazprom, thuhet se kreu vetëvrasje.
Pas kësaj, më 25 shkurt, Alexander Tyulyakov, një tjetër ish-menaxher në gjigantin e energjisë, u gjet i varur në shtëpinë e tij në Shën Petersburg.
Tri ditë më vonë, më 28 shkurt, manjati i gazit dhe naftës, i lindur në Ukrainë, Mikhail Watford u gjet, gjithashtu, i varur në garazhin e pronës së tij në Surrey, Anglinë jugore.
Më 24 mars, Vasily Melnikov, miliarder, kreu i kompanisë gjigante të furnizimeve mjekësore “MedStom”, u gjet i vdekur së bashku me gruan e tij, Galina, dhe dy djemtë në apartamentin e tyre në qytetin rus të Ninzhni Novgorodit. Detajet e vdekjes së tyre janë, gjithashtu, paralele me ato të Protosenyas dhe Avayevit.
Dhe, së fundi, është rasti i Andrei Krukovsky, 37-vjeçarit që ishte drejtor i vendpushimit të skive “Krasnaya Polyana”, afër Socchit. Presidenti rus Vladimir Putin thuhet se i ka ftuar vazhdimisht mysafirët e tij të bëjnë ski atje. Sipas gazetës ruse “Kommersant”, Krukovsky kishte dalë për vrapim më 2 maj kur ra nga një shkëmb dhe vdiq.
Vdekjet misterioze të shtatë rusëve të pasur në vetëm tre muaj, në rrethana kaq të tmerrshme dhe njëkohësisht të çuditshme, kanë lënë vend për të gjitha llojet e spekulimeve. Media të shumta kanë supozuar se vetëvrasjet mund të ishin falsifikuar. Disa prej tyre madje kanë shkuar aq larg sa sugjerojnë se Kremlini, apo edhe vetë Putini, mund të jetë i përfshirë në njëfarë mënyre në vrasjen e tyre.
Vitet e fundit ka pasur tentativa të shumta për vrasjen e kritikëve të Kremlinit.
Në gushtin e vitit 2020, lideri i opozitës, Alexei Navalny, u helmua me një agjent nervor Novichok ndërsa ishte në aeroportin Tomsk.
Dy vjet më parë, Sergei Skripal, ish-kreu i agjencisë ruse të inteligjencës GRU, ishte helmuar në mënyrë të ngjashme.
Si Navalny ashtu edhe Skripal mbijetuan. Në vitin 2006, Alexander Litvinenko, një ish-oficer i sigurisë ruse që kishte dezertuar në Britani të Madhe, u helmua për vdekje me polonium radioaktiv në Londër.
Në vitin 2017, gazeta amerikane USA Today publikoi rezultatet e një hetimi ku thuhej se të paktën 38 oligarkë kishin vdekur ose ishin zhdukur gjatë tre vjetëve të fundit.
Ajo që bie në sy në incidentet e vitit 2022, është se asnjë nga oligarkët e vdekur nuk e kanë kritikuar publikisht Putinin për pushtimin e Ukrainës. Në të njëjtën kohë, asnjë prej tyre nuk ishin në listat e sanksioneve ndërkombëtare që u hartuan pas pushtimit.
Nuk ka asnjë provë për të mbështetur këtë teori apo spekulim për përfshirjen e dhunshme nga një palë e tretë.
Dhe kështu, në rastin e Sergei Protosenya, policia spanjolle vazhdon të supozojë se vdekjet ishin vrasje-vetëvrasje. Megjithatë, Fedor Protosenya nuk beson se ky ishte rasti.
“Babai im nuk është vrasës”, ka thënë ai për media të ndryshme britanike.
Në të gjitha rastet ka dyshime të përhapura se vdekjet mund të jenë inskenuar si vetëvrasje, por kush e bëri këtë dhe pse? Ndoshta disa njerëz të lartë të lidhur me Kremlinin tani po mbulojnë gjurmët e mashtrimit në kompanitë shtetërore.
Nëse “Gazprom” sheh riorganizime të mëdha të personelit midis drejtuesve të tij të lartë, kjo hipotezë mund të jetë e vërtetë, bën të ditur “War Institute“.