Pas një sezone të suksesshme seriali “Hetuesia” të shtunën e 10 shtatorit do të rikthehet prapë në ekranin televiziv të RTV Dukagjinit duke filluar nga ora 20:10.
Në një intervistë për portalin Dukagjini, skenaristi Granit Uka, ka treguar rreth risive të serialit për këtë sezonë.
“Sezoni i ri fillon me disa ndryshime si në skenografi, kostume, aktor, çasje të problemeve shoqërore, më ndryshe se sezonin e kaluar duke trajtuar tema të ndjeshme”, ka thënë Uka.
Më tej ai ka theksuar se në ekipën e aktorëve të cilët do të luajnë këtë sezonë do të ketë edhe emra të njohur të skenës kosovare.
“Kasta e aktorëve mbeten në përbërjen pothuajse të njejtë me një risi që ekipës tonë iu bashkangjit edhe aktorja Ryva Kajtazi në cilësinë e shefes së Hetuesisë”, ka shtuar seknaristi.
Ndër të tjera ai ka thënë se gjatë kësaj sezone do të krijohet hapësirë që në mesin e kastës së zgjedhur të aktorëve të serialit do të ketë edhe aktor të rinj.
“Brenda sezonës së dytë do të ketë edhe aktor të Akademisë së Arteve ku do të jenë kohë pas kohe pjesë e serialit”, është shprehur Uka.
Ndërsa regjisori i këtij seriali Krenar Belegu ka treguar se si kanë shkuar xhirimet e episodes së parë të këtij sezoni.
“Sa i përket xhirimeve të episodës së parë të serialit për këtë sezonë mund të them që kanë shkuar shumë mirë dhe jemi gati që të sjellim skena atraktive dhe argëtim për shikuesit e televizionit Dukagjini”, ka thënë Belegu.
Më tej regjisori ka shtuar se kësaj radhe xhirimet e serialit do të realizohen në lokacione të ndryshme.
Seriali “Hetuesia” do të shfaqet çdo të shtunë në RTV Dukagjini për argëtimin e të gjithë shikuesve.