Lëkundje tërmeti në Shqipëri kanë vazhduar edhe mëngjesin e së hënës së 16 janarit.
Një tërmet me magnitudë 3,1 Rihter është regjistruar para pak minutash, përkatësisht në orën 10:05.
Siç raporton Qendra Sizmologjike Evropiane e Mesdheut (EMSC), lëkundjet e kanë pasur epiqendrën rreth 29 km nga Tirana dhe 11 km nga Burreli.
Kjo lëkundje tërmeti vjen pas tërmetit 4.7 ballësh që ka lëkundur Shqipërinë, mbrëmjen e së dielës.
Ky tërmet shkundi Shqipërinë, në orën 22:37 gjatë mbrëmjes të së dielës, ndërsa u pasua nga 8 pasgoditje gjatë natës dhe mëngjesit.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, raportohet se epiqendra e tërmetit ishte 3 kilometra në jug të Klosit, prapa Malit të Dajtit, ndërsa lëkundjet janë ndier më së shumti në Dibër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë.
12 shtëpi raportohen të dëmtuara në Klos, aty ku ishte edhe epiqendra, ndërsa ekipet janë në terren, raporton Top Channel.
Në Durrës raportohet se disa lagje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë, në qytetet e tjera të vendit është raportuar se lëkundjet e tërmetit ishin të forta dhe kanë ngjallur panik te qytetarët.