Një komedi e re në RTV Dukagjini, por jo e panjohur për audiencën, pas një suksesi të jashtëzakonshëm do të rifillojë me po atë ritëm, i cili pritet të jetë edhe më i lartë.
Bëhet fjalë për serinë televizive, “Sha je be tu folën” e cila do të rinisë transmetimin e saj me sezonin e 3-të në RTV Dukagjini, me ngjarjet e saj tejet interesante që do të realizohen në mënyrën më perfekte, nga një ekip i madh dhe mjaft profesional.
Drejtori ekzekutiv i RTV Dukagjinit, Dardan Belegu, ka thënë se premtimin që ua kanë bërë shikuesve të Dukagjinit është duke e mbajtur përmes kësaj serie komike.
“Kjo marrëveshje është segment i vazhdimësisë dhe përkushtimit tonë që shikuesve t’iu ofrojmë gjithmonë përmbajtje të veçanta dhe cilësore. Premtimin që i kemi bërë shikuesit se do të jemi gjithmonë në pararojë të krijimit dhe transmetimit të përmbajtjeve më të mira televizive, po e ridëshmojmë si të mbajtur”, ka thënë Belegu.
Sipas tij, gjatë muajit shtator skema programore e televizionit do të plotësohet në tërësi me serialin “Sha je be tu folën”, që do të nisë në tetor, me koncept të ri, të shtrirë në disa dimensione.
“Të reja të shumta do të kemi edhe në pjesën tjetër të programit televiziv. Shija Perfekte e Dukagjinit do të stërhollohet edhe me tepër”, ka shtuar ai.
Rolet kryesore edhe në sezonin e ri do t’i kenë aktorët Ernest Zymberi dhe Ridvan Murati, të cilët janë po ashtu producentë të serialit.
Zymberi për Portalin Dukagjini ka treguar se sezoni i ri i serialit do të vijë me 30-të deri në 40-të episode.
Ndërsa, se cilat do të jenë tematikat kryesore të komedisë, ai ka thënë se mbetet të shihet deri në transmetimin e episodit të parë. Por, sipas tij, patjetër që do ketë diçka që nuk është transmetuar më parë.
“E veçanta e sezonit të ri të serialit është se do të përmbajë tema të ndryshme të cilat do të jenë krejtësisht ndryshe nga sezonet e mëparshme e që nuk do t’i mungojë edhe një mesazh secilit episod”, ka thënë Zymberi.
Po ashtu, Murati rikujtoi që seriali do të jetë në dispozicion për të gjitha moshat, duke filluar nga shtatë vjeç deri në 70 e më lart.
Ndërkaq, për të dy producentët e serialit, përveç aktrimit dhe dhënies së mesazhit për shikuesit, rol kryesor luan edhe videoincizimi të jetë me definicion të lartë dhe me cilësi më të lartë.
“Seriali nuk do të luhet me një mendim që të jetë afatshkurtër, por do të mbetet në kohë që të shikohet nga shumë breza të rinj”, ka thënë Zymberi.
Seriali “Sha je be tu folën”, i cili filloi që nga viti 2020, tashmë do të jetë pjesë e televizionit më të shikuar në vend, RTV Dukagjinit.