Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 8 maj, kishte deklaruar se Kosova nuk ka çfarë të kërkojë në dialog me Serbinë, nëse zgjidhja apo marrëveshja potenciale nuk e ka bazë Kushtetutën e Kosovës.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është nëse respektohet Kushtetuta, përndryshe Kosova nuk ka interesa ta vazhdojë dialogun me Serbinë.
Lidhur me këtë deklaratë, Asdren Shala nga radhët e Partisë Socialdemokrate, ka thënë se kryeparlamentari Konjufca nuk ka fuqi ta ndalë procesin e dialogut, dhe sipas tij, ai ka dhënë vazhdimisht deklarata të tilla që nuk janë mbajtur.
“Deklarata e Glaukut është në natyrën e deklaratave të zakonshme që diçka tjetër ndodh në dialog, diçka tjetër mundohet Qeveria me na e shitë neve këtu në Kosovë. Për ne është e parëndësishme, për ne problemi është si do të jetë epilogu, e që ne e kemi analizuar që do të jetë i dëmshëm”.
“Një person që disa herë me deklarata të veta i ka shkelur apo i ka tërhequr fjalët e veta 20 herë, pse me besu që të 21-tën herë e ka saktë. E kemi parë që ka thënë ‘Asociacion as asi, as ksi’, tash ka dalë mas dy viteve po thotë që ky dialog qenka i keq. Është lojë e famshme, Qeveria ka krijuar univers paralel, jo duke u marrë me probleme reale, ka krijuae univers apo klimë tjetër të ndodhë diçka tjetër me shitë. Nuk ka fuqi Glauku ta lërë dialogun, ose shkon te shtëpia”, ka deklaruar Shala në emisionin FIVE.
Gjithashtu, Shala ka thënë se duhet të ndryshohet korniza e dialogut për një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.