Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, duke konstatuar se kjo parti ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore të nevojshme. Vendimi vjen pas ankesës së Listës Serbe kundër vendimit të mëparshëm të KQZ-së për të mos e certifikuar këtë subjekt politik.
Ish-anëtari i PZAP-së, Hasan Shala, në emisionin FIVE të RTV Dukagjinit, ka deklaruar se KQZ-ja ka për detyrim ligjor të zbatojë vendimet e PZAP-së, pasi ato janë të formës së prerë dhe detyrimisht të zbatueshme.
“Jo obligim po detyrim e ka me zbatu. Edhe jo vetëm KQZ-ja, por të gjitha institucionet e tjera shtetërore janë të detyruara me zbatu vendim e PZAP-it, kur është i formës së prerë.
Vendimet e PZAP-it duhet të zbatohen dhe detyrimisht janë të zbatueshme. Tani këta kane të drejtë, KQZ-ja, me ankimu në Gjykatë Supreme këtë vendim. Me sa unë po dëgjoj këta nuk do ta ankimojnë”, ka thënë Shala.
Në lidhje me situatën aktuale, Shala theksoi se KQZ-ja mund të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme për këtë vendim, por shtoi se refuzimi i zbatimit të vendimit të PZAP-së pa arsye do të përbënte shkelje ligjore.
“Ata kanë me zbatu se nëse nuk e zbatojnë bëjnë vepër penale. Se ligji për zgjedhjet shumë qartë thotë: vendimet e PZAP-it janë detyrimisht të zbatueshme. Ata munden me abstenu me mungu, mirëpo KQZ-ja këtë as që ka dilemë”, ka shtuar Shala.
Vendimi i PZAP-së ka hedhur poshtë vendimin e KQZ-së të datës 23 dhjetor, duke argumentuar se Lista Serbe ka dorëzuar aplikimin në përputhje të plotë me nenet 16 dhe 17 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Sipas Panelit, KQZ-ja është e obliguar të certifikojë çdo subjekt që plotëson kriteret ligjore.
Në arsyetimin e tij, PZAP-ja ka sqaruar se moscertifikimi i Listës Serbe ishte bërë pa konsensus të nevojshëm dhe se njoftimi i KQZ-së ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Për këtë arsye, Paneli ka urdhëruar që Lista Serbe dhe kandidatët e saj të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.
Në lidhje me këtë vendim anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, tha se dy përfaqësuesit e VV-së në KQZ nuk do të paraqesin ankesë, por vendimi përfundimtar nëse do të ketë një apelim në Gjykatën Supreme i takon subjektit politik, Lëvizjes Vetëvendosje.
“PZAP-ja ka marrë një vendim dhe ne si anëtarë të KQZ-së, dy përfaqësues të VV-së kemi vendosur të mos bëjmë aneks. Por ne nuk e dimë se si do të vendos subjekti. Sepse ajo është çështje që vendos subjekti. Në dy anëtarët e KQZ-së do të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe.
E konsiderojmë që nuk i ka shqyrtuar të gjitha rrethanat. Të gjitha faktet, të gjitha dëshmitë, por është mbështet vetëm në një pjesë formale.
Ne nuk do të paraqesim ankesë. Por nuk e dimë nëse VV-ja do të paraqesë ankesë…”, ka thënë Kurteshi në një linjë direkte në FIVE të Dukagjinit.
A do të ankimojë VV-ja në Supreme vendimin që urdhëron certifikimin e Listës Serbe?