Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, në paraqitjen e parë para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka thënë se nuk është i gatshëm të deklarohet sot nëse ndihet fajtor apo jo për akuzuat që i vihen në barrë nga organi i akuzës.
Shala ka thënë se nuk i ka marrë materialet nga Prokuroria.
“Nuk i kam marrë materialet nga Prokuroria, nuk mund të deklarohem sot, por e lëmë për seancën tjetër”, ka thënë Shala.
Ish-deputeti dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është transferuar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin, avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.
Lexo dhe: Shala transferohet në Hagë, avokati i tij thotë se ia kanë ndërprerë komunikimin me familjarët
Smakiqi ka thënë se Shalës i është ndërprerë çdo komunikim edhe me familjarët e tij.
Ai ka diskutuar edhe për bastisjen në shtëpinë e Shalës, duke e cilësuar si të kundërligjshme, sepse, sipas tij, bastisja është bërë pa praninë e avokatit.
I arrestuari, Haxhi Shala, akuzohet për “pengim të drejtësisë”.
Shala në Gjykatë Speciale – Si i përshkruan Prokuroria takimet me dëshmitarin 1?
Seanca e dytë e konferencës mbi zhvillimet në çështjen e deklarimit të fajësisë do të përcaktohet në vijim.
Deri më tani Shala është informuar rreth pikave të akuzës, të drejtave të tij, procedurës së ndjekjes, kundërshtimit të provave dhe përbërjen e gjykatës.
Gjatë procedurës paraprake, gjykatësi Nicholas Guillou ka njoftuar se brenda 30 ditësh, Shala ka të drejtë të deklarohet në lidhje me fajësinë apo mosfajësinë dhe ka të drejtë të kundërshtojë.
Më pas, Haxhi Shalës iu lexuan me gjerësisht pikat e akuzës që po ballafaqohet. Para fillimit të seancës, u zhvillua procedura për fotografimin e tij për një minutë e gjysmë, në përputhje me synimin për të siguruar transparencën dhe dokumentimin e ngjarjes.
Sipas aktakuzës, me udhëzim të Haxhi Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.
Aktakuza madje pretendon se dëshmitari ka thënë se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro, ata do të arrinin një marrëveshje.
“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë dëshmitari 1”, sqarohet në aktakuzën e publikuar.
Sipas Prokurorisë, Haxhi Shala akuzohet për: (I) frikësim dhe (II) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Si i përshkruan Prokuroria takimet?
Aktakuza thotë se kontakti i parë në mes të palëve ka ndodhur më 5 prill, kur Haxhi Shala ka telefonuar Sabit Januzin dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.
Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.
“Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit”, thuhet më tej në aktakuzë.
Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që dëshmitari të brengoset për sigurinë e familjes së tij.
Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras me Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.
“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, në mes të tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023” – vazhdon aktakuza.
Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, ka ndodhur më 12 prill, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit.
“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar Januzit të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.
Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë dëshmitarit se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij, atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij ndihmë.
“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre atë që kishte thënë Dëshmitari 1.” – thuhet në aktakuzë.
Menjëherë pas kësaj vizite, prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.
Si pasojë e këtij kontakti, prokuroria thotë se Dëshmitari 1 ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.