Haxhi Shala nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se pasuria e Milan Radojçiq do të duhej të sekuestrohej menjëherë pas përfundimit të aksionit policor në Banjskë të Zveçanit.
“Unë mendoj që pak janë vonuar sepse ka tri-katër ditë që aksioni veçse është kryer dhe është vërtetuar se Radojçiqi është pjesë e këtij ekipi”, ka thënë Shala kur u pyet se nëse bastisja në vilën e Radojçiq ishte veprim i duhur.
Shala ka thënë se më e vlefshme është të sekuestrohet një dokument sesa ajo që ai e cilësoi si “pjesa teknike”.
“Ne duhet menjëherë me bastisë, në momentin që ai është vërejtë se është aty, me i’u bastisë e gjithë pasuria”, ka shtuar Shala.
Sipas tij, Prokuroria dhe Policia “janë vonuar pak” për të sekuestruar pasurinë e Radojçiq.
Ai ka vlerësuar se Njësitë Speciale duhet të jenë aktive dhe se çdo ditë të vërehet prezenca e tyre në veri të vendit.
“Njësitë Speciale duhet të jenë shumë aktive, çdo ditë në veri me u pa prezenca e tyre, jo vetëm për të arrestuar njerëz por për të parë një siguri qytetarët tanë – edhe të komunitetit serb, me pa që Njësia Speciale nuk është kundër komunitetit serb por ndaj atyre që janë kundër ligjit”, është shprehur Haxhi Shala.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla, sot ka publikuar pamje (video) të vilës luksoze të Milan Radojçiqit.
Sveçla ka thënë se pamjet dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për asnjë “luftëtar lirie”, por për një Pablo Escobar të rajonit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për operacionin e Policisë së Kosovës në veri, ku pati bastisje në pesë lokacione, shumica prona të kriminelit Milan Radojçiq.
Lexo dhe: Prokuroria tregon se çfarë u konfiskua në disa prona të Radojçiqit
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se operacioni Policor ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24.9.2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, si dhe urdhër kontrolli është zhvilluar në pronat e të dyshuarve M.R dhe V.R. dhe në hapësirën e një objekti ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicë-Veri. Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientet”, thuhet në njoftim.