Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kujtim Shala i ftuar në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka komentuar qeverisjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Që sipas Shalës, është qeveria më e dobët që Kosova ka pasur ndonjëherë. Ndërsa, ka theksuar se nuk ka plane e as ide konkrete politike.
“Është qeveria më e dobët e vendit, e paqartë, pa asnjë ide as politike e as konkrete qoftë që të përpiqet të ndërtojë një vizion për vendin qoftë që të zgjidhë situatat konkrete politike dhe ato të krizave. Mendoj që është qeveri që thellon dhe prodhon situatat qoftë politike ashtu edhe krizat e natyrave tjera”, ka deklaruar Shala.
Ndërsa, ka theksuar se një qeverisje të tillë në Kosovë nuk e ka parë te askush tjetër më parë që ka drejtuar Kosovën.
Gjithë komentin e tij për qeverinë Kurti II, Shala ka thënë se e mbështet me shifra të cilat kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm si kriza ekonomike, masat që nuk ndërmerr qeveria, problemet në diplomaci dhe ato me opozitën.
“Një paqartësi të tillë unë nuk kam parë te asnjë formacion politik ekzekutiv që ka drejtuar Kosovën, qoftë në politikën e brendshme, të jashtme dhe të përfaqësimit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Kjo mund të mbështetet me shifra, shifra që kanë të bëjnë me krizën ekonomike, me masat që do të duhej t’i ndërmerrte qeveria po që nuk i ndërmerr, me problemet që kemi ne në përfaqësimin politikë në diplomaci dhe në raportet që ka ndërtuar kjo shumicë me opozitën e vendit”, ka theksuar Shala.
Shala ndër të tjera, ka kritikuar se qeveria aktuale nuk është e njohur me historinë politike të vendit dhe kjo ka bërë që edhe raportet me partnerët ndërkombëtar të ftohen.
“Qeveria nuk është e vetëdijshme për ato që bën dhe nuk pranon që të shoh mungesën e rezultateve të tyre. Kemi të bëjmë me një shumicë që e kanë drejtuar dhe e drejtojnë kundërshtarët e këtij shteti dhe nuk arrin në thelb të kuptojnë as organizimin bazik të Kosovës, as historinë e saj politike që në të vërtet është konstruksion që përfshinë partnerët ndërkombëtarë dhe mbi këtë pastaj rrënojnë edhe raportet me partnerët ndërkombëtar. Rezultatet janë shumë të vogla apo nuk ka fare”, ka vijuar Shala.
Ndryshe, në një komunikatë të 3 shkurtit 2019, partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje thoshte se dënimi i politikanit serb Oliver Ivanoviq ishte gjysmak, derisa e akuzonte për vrasjen e dëbimin e shqiptarëve të rënë me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.
4 vjet më pas, kryetari i kësaj partie, e njëherit tashmë edhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, jo vetëm që e kujtoi Ivanoviqin por e lartësoi figurën e kontributin e tij në një video të veçantë në përvjetorin e vrasjes.
Lidhur me këtë, Deputeti Shala e quajti “të dëmshme”, “jonormale” dhe jo vetëm.
“Është aq bizare, saqë shpresoj që ka folur përqartë”, ka deklaruar ai.