Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, lidhur me sulmin ndaj zyrtarëve policorë në veri të vendit, të dielën e 2 prillit rreth orës 02:20, gjatë natës, ka thënë se kjo po dëshmon që kërcënimi publik i Listës Serbe është duke u zbatuar për disa arsye.
Shala ka thënë se kjo po bëhet për frikën e humbjes së kontrollit në pjesën ku jetojnë qytetarët e komunitetit serb.
“Rikthimi i ashtuquajtur ‘lidershipit’ të Milan Radojeqiqit brenda komunitetit dhe treguesi për presidentin serb që në veri duhet të konsiderohet partner i Serbisë”, ka renditur Shala si arsye të dytë.
“Situata mund të reshasë në një situatë të 2021/2022, ku patëm bllokim dhe sulme kundër zyrtarëve policorë të vendit. Por, të gjitha këto kanë edhe qëllimin diplomatik për veriun dhe mospjesëmarrja e Listës Serbe në jetën politike, do të prodhojë tensione të ndryshme në aspektin e sigurisë”, ka thënë eksperti i sigurisë, Drizan Shala për Portalin Dukagjini.
Sipas tij, institucionet e vendit duhet të marrin hapa konkret dhe të mos bien pre e provokimeve nga këto grupe, “duke zbatuar planin e tyre për të ofruar dhe garantuar rend dhe siguri”.
Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën e 2 prillit rreth orës 02:2,0 gjatë natës, në rrugën “Ivo Llola Ribar”, te Qendra e kontrollimit teknik të automjeteve, në drejtim të zyrtarëve policorë që ndodheshin në detyrë zyrtare (njësia në pikë statike), nga persona deri tani të panjohur është hedhur një mjet i dyshuar shpërthyes.
Sulmohen me mjet shpërthyes zyrtarët policorë në veri të Mitrovicës