Asdren Shala nga radhët e Partisë Socialdemokrate, ka deklaruar se Qeveritë e kaluara, për dallim nga Qeveria Kurti, kanë arritur të gjejnë zgjidhje pa dëmtuar sovranitetin e vendit.
Më herët të martën, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe shefin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Më vonë atë ditë, Lajçak u takua me Chollet.
I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Shala ka deklaruar se çështja e zgjedhjeve do të duhej diskutuar në takimin e sotëm në Bruksel, me ç’rast shihet një kërkesë e qartë nga ana e serbëve.
“Me siguri do të diskutohet edhe çështja e zgjedhjeve në Bruksel, por ne po shohim një kërkesë, një qëndrim të serbëve që zgjedhjet të mosmbahen pa u formuar Asociacioni. Kjo dëshmon që ata nuk duan të jetojnë në Kosovë në rrethana të tilla, dhe argumenti për këtë që serbët janë të pasigurt dhe nuk mund të funksionojnë në rrethana organizative, siç është tani Kosova pa Zajednicën, e ka dhënë vetë Qeveria Kurti. Mos të harrojmë, Qeveria Kurti tashmë, veriu gjithmonë ka qenë problem, që nga paslufta e deri sot, ka qenë problem, por Qeveritë paraprake kanë pasur akses dhe kanë mundur të gjejnë zgjidhje që nuk dëmton sovranitetin”, ka deklaruar ai.
Lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Shala ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare i ka bërë të qarta kërkesat e saj. Por, sipas tij, tashmë veriu është jashtë domenit të administrimit të shtetit të Kosovës, si zonë më e ndikuar nga Serbia.
“Bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga deklaratat e Chollet, ka qenë shumë e qartë. Pas tensioneve në veri, Chollet ka dalë me një deklaratë duke thënë se formimi i Asociacionit është urgjent. Pra, amatorizmi i Qeverisë Kurti me ato veprimet e pakoordinuara e pamenduara mirë në veri e ka çuar Bashkësinë ndërkombëtare…ia ka hequr dilemat që Kosova mund të funksionojë kështu siç është. Asociacioni është një zgjidhje për të pasur sa më pak tensione dhe për të siguruar qetësi në mes dy etnive”, ka thënë ai gjersa ka theksuar se “prej konflikteve të para në veri, atje ku zoti Kurti çon edhe Policinë për shkak të targave, veriu nuk është më i Kosovës…veriu është jashtë domenit të administrimit të shtetit kosovar, është më shumë pjesë ku influencon Serbia sesa Kosova”.
Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.
BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.