Në takimin e 316-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të hënën para anëtarëve të KGJK-së ka raportuar gjyqtari Afrim Shala, kryetar i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024.
Këtë raportim, ai e bëri para anëtarëve të Këshillit për periudhën korrik-shtator 2023, ku ndër të tjera i ka propozuar KGJK-së që të caktohet një gjyqtar si koordinator për rastet penale ku viktima janë gazetarët.
“Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, por edhe para saj, duke vërejtur se ka pasur disa raste të veprave penale, ku viktima të tyre kanë qenë gazetarët, atëherë Komisioni duke u bazuar në Planin Strategjik për Qasje në Drejtësi 2022-2025, në të cilin, është parashikuar trajtim me prioritet të lartë i rasteve penale, ku viktima janë personat e ndjeshëm, përkatësisht gazetarët, e ka parë të arsyeshme dhe të nevojshme që t’i propozojë Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta shqyrtojë mundësinë e caktimit të një gjyqtari si “Koordinator për rastet penale ku viktima janë gazetarët”, tha Shala.
Tutje, gjyqtari Shala shtoi se ky koordinator do të jetë me kompetenca dhe përgjegjësi përafërsisht të njëjta, sikurse koordinatori për rastet e dhunës në familje.
Shala e ka konsideruar si të rëndësishme caktimin e një koordinatori të tillë, për shkak se, sipas tij, kjo do të ndikonte në funksion të monitorimit dhe vlerësimit më efikas.
“Caktimi i një koordinatori të tillë do të ishte në funksion të monitorimit dhe vlerësimit më efikas të rasteve të tilla, ndërsa përpunimi dhe grumbullimi i të dhënave që konsiderohen të rëndësishme, do të ishte edhe në funksion të përmbushjes së përgjegjësive përkatëse që burojnë nga Plani i lartcekur”, shtoi gjyqtari Shala.
Shala ka thënë se i është drejtuar KGJK-së edhe me një propozim në lidhje me ndryshimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022-2025.
Ai tha se janë disa raste që janë trajtuar nga Gjykata Kushtetuese e që duhet të trajtohen me prioritet dhe për këtë arsye i ka propozuar KGJK-së ndryshimin e Planit.
Tutje, gjyqtari tha se secili prej aktorëve që janë të përfshirë në zbatimin e këtyre Planeve, sidomos kryetarët e gjykatave themelore dhe gjyqtarët e këtyre gjykatave, do të duhej që t’i përmbushin me përpikëri detyrimet e tyre që rezultojnë nga këto plane, në mënyrë që të arrihen synimet dhe objektivat e parashikuara me këto plane.
Sipas Shalës, janë kryetarët e gjykatave që duhet ta mbikëqyrin zbatimin e këtyre planeve strategjike, dhe sipas tij, nëse të njëjtit vlerësojnë se ka ngecje apo moszbatim të detyrimeve që burojnë nga këto plane, të mos përjashtojnë edhe mundësinë e inicimit të procedurave disiplinore.
Ndryshe, në këtë takim kanë raportuar edhe kryetarët e Gjykatave për muajt korrik-shtator 2023.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzulllah Rexhepi, ndër të tjera tha se edhe gjatë këtij tremujori janë publikuar 530 aktgjykime dhe aktvendime.
Ndërsa, mbikëqyrësi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për tremujorin e tretë të vitit 2023, tha se kanë gjykuar 14 gjyqtarë.
I njëjti shtoi se nga tremujori i kaluar janë trashëguar mbi 13 mijë e 777 lëndë. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe, i njëjti shtoi se janë pranuar 521 lëndë të reja.
Takimi ka vazhduar me raportimin e kryetarëve të gjykatave të tjera. Ndryshe, KGJK edhe për të martën ka planifikuar të mbajë takim. /BetimipërDrejtësi