Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se standardi i pezullimit të liberalizimit të vizave është shumë shumë i lartë, dhe se Kosova është shumë larg këtij standardi.
Në një postim në Facebook, Shasha ka thënë se pezullimi i vizave është akt ekstrem që merret në raste ekstreme, duke marrë kështu shembull Rusinë, duke thënë se iu pezullua vetëm pasi e pushtoi Ukrainën, “Vanautusë iu pezullua vetëm pasi që refuzoi me kokëfortësi të ndal skemën e “pasaportave të arta”. Serbisë nuk iu pezullua liberalizimi përkundër që u shndërrua në portën kryesore të migrimit ilegal në BE”.
Kjo deklaratë e tij vjen pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se do të ketë masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse “nuk marrin përgjegjësi”, duke theksuar se “Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi.
Sipas Shashës, Macron nuk ka thënë asgjë të re, pasi, sipas tij, konteksti i fjalimit të tij ka të bëjë me sigurinë e Ballkanit.
“Ky ishte fjalimi vjetor para ambasadorëve francez në botë dhe fjalimi ishte fokusuar në pikat neurologjike të botës. Rrjedhimisht ai aty flet 10 sekonda për Ballkanin dhe vetëm në kuptimin e gjësë më të rëndësishme: sigurisë, stabilitetit dhe paqes. Prandaj ai paralajmëron se në raste ekstreme të kërcënimit të sigurisë në Ballkan, patjetër që edhe liberalizimi i vizave mund të pezullohet. Kjo nuk është risi. Por ne sot jemi shumë larg këtij skenari, prandaj përderisa plotësisht mirëkuptoj ankthin që kemi nga kjo puna e vizave duhet të flemë qetë duke ditur se asgjë në BE nuk ka ndryshuar sa i përket kësaj çështje”.
Ai ka thënë ndër të tjera se nuk duhet të merren serioze deklaratat derisa të ketë diçka zyrtare nga Komisioni Evropian, pasi, sipas tij, janë lojëra dhe negociata politike.
“Për mua rregulli i artë sa i përket pezullimit të liberalizimit të vizave është ky: mos merrni seriozisht asgjë derisa nuk dëgjoni Komisionin Evropian duke folur për të. Deri atëherë, çdo gjë që dëgjoni është pjesë normale e lojërave dhe negociatave politike”.
Ndryshe, të hënën, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macron tha se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.
“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar, për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Lëvizja pa viza për kosovarët do të mundësohet nga 1 janari i vitit 2024.
Komentet e Macron-it vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.