Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia kanë prezantuar detajet e planit të tyre për të krijuar një flotë të nëndetëseve me energji bërthamore, me qëllim të luftimit të ndikimit të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit.
Nën planin e ashtuquajtur AUKUS, Australia do të sigurojë nëndetëset e para bërthamore – të paktën tri – nga Shtetet e Bashkuara.
Aleatët do të punojnë edhe për krijimin e një flote, duke përdorur teknologjinë më të re, përfshirë aty edhe reaktorët Rolls Royce, të prodhuar nga Mbretëria e Bashkuar.
Pekini ka thënë se kjo marrëveshje dëmton “paqen dhe stabilitetin”.
Misioni i Kinës në Kombet e Bashkuara i ka akuzuar aleatët perëndimorë se janë duke kthyer mbrapsht përpjekjet për mospërhapje bërthamore.
Mirëpo, presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se marrëveshja synon rritjen e paqes në rajon dhe e ka theksuar se nëndetëset do të jenë “me energji bërthamore, jo të armatosura me armë bërthamore”.
Duke folur afër kryeministrave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë – Rishi Sunak dhe Anthony Albanese – në San Diego të Kalifornisë, Biden ka thënë se marrëveshja nuk do të rrezikojë përkushtimin e Australisë për të qenë shtet pa armë bërthamore.
Australia do të bëhet vetëm shteti i dytë, pas Mbretërisë së Bashkuar, që do të pranojë teknologjinë bërthamore elitë të Uashingtonit.
Nëndetëset do të mund të operojnë më gjatë dhe më shpejt sesa flota ekzistuese që funksionon me naftë dhe Australia, po ashtu, për herë të parë do të mund të kryejë sulme kundër armiqve.
Sipas marrëveshjes, pjesëtarë të marinës australiane do të dërgohen në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretëri të Bashkuar këtë vit, për të mësuar si t’i përdorin nëndetëset.
Nga viti 2027, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar do të dërgojnë një numër të nëndetëseve bërthamore në Perth, perëndim të Australisë, para se Kanberra të blejë tri nëndetëse amerikane në fillim të viteve 2030, me mundësinë e blerjes së dy nëndetëseve shtesë.
Më pas, plani është që të dizajnohet dhe të ndërtohet një nëndetëse e re bërthamore për marinat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Australisë – model që tani është duke u quajtur, SSN-AUKUS.
Kjo pajisje sulmuese do të ndërtohet sipas dizajnit britanik në Britani dhe Australi, mirëpo do të përdorë teknologjinë e të tria shteteve.
Presidenti Biden ka thënë se të tria shtetet janë të përkushtuara për të siguruar që rajoni i Indo-Paqësorit do të jetë i lirë dhe i hapur.
“Përmes këtij partneriteti, ne jemi duke treguar sërish se si demokracitë mund të garantojnë siguri… jo vetëm për ne, por për gjithë botën”, ka thënë ai.
Biden është zotuar, po ashtu, për ndarjen e 4.6 miliardë dollarëve për të zgjeruar kapacitetet e ndërtimit të nëndetëseve amerikane dhe për përmirësimin e mirëmbajtjes.
Kryeministri australian ka thënë se plani – i cili do t’i kushtojë Kanberras 368 miliardë dollarë australianë në 30 vitet e ardhshme – shënon “investimin më të madh për mbrojtje në gjithë historinë e Australisë”.
Albanese ka thënë se ndërtimi i nëndetëseve do të ndihmojë në krijimin e mijëra vendeve të punës në Australi.
Kryeministri britanik ka thënë se 18 muaj pas prezantimit fillestar të aleancës AUKUS, sfidat globale vetëm sa janë rritur.
“Lufta e Rusisë në Ukrainë, rritja e vetëbesimit të Kinës, qasja destabilizuese e Iranit dhe Koresë Veriore – të gjitha kërcënojnë krijimin e rrezikut dhe ndasive në botë”, ka thënë Sunak.
Në kuadër të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, Sunak është zotuar për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje për gati 5 miliardë funte në dy vitet e ardhshme, për të luftuar kërcënimet nga shtetet armiqësore.
Aleanca e sigurisë AUKUS – e prezantuar në shtator të vitit 2021 – është kritikuar vazhdimisht nga Kina.
Ministria e Jashtme e Kinës ka përsëritur qëndrimin se ky pakt rrezikon krijimin e një gare armësh.
Më 2021, Australia ka hequr dorë nga një marrëveshje me Francën në vlerë të miliarda dollarëve për të ndërtuar nëndetëse me energji të naftës, çka ka rritur tensionet politike me Parisin.
Australia përballet me situatë diplomatike delikate me Kinën – partneren e saj më të madhe tregtare.
Analistët kanë thënë se mbetet të shihet nëse Australia do të mund të rrisë lidhjet ushtarake me Shtetet e Bashkuara, teksa bën tregti me Pekinin.