Shtetet e Bashkuara liruan një aleat të ngushtë të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, në këmbim të lirimit të 10 amerikanëve të burgosur në vendin e Amerikës së Jugut dhe kthimin e një kontraktori të arratisur të kërkuar nga drejtësia amerikane, njoftoi të mërkurën administrata e presidentit Biden.
I kërkuari Leonard Glenn Francis, i njohur me nofkën “Fat Leonard”, truri pas skemës më të rëndë të korrupsionit në historinë e Marinës së Shteteve të Bashkuara, iu dorëzua autoriteteve amerikane si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve me Venezuelën.
Ai ishte arrestuar një dekadë më parë në një hotel në San Diego gjatë një operacioni federal. Tre javë përpara se të përballej me dënimit, në shtator të vitit 2022, ai u arratis nga arresti shtëpiak.
Hetuesit thonë se ai i vodhi ushtrisë amerikane më shumë se 35 milionë dollarë duke korruptuar dhjetëra oficerë të rangut më të lartë të marinës me femra, festa luksoze dhe dhurata të tjera. Ai u arrestua nga policia venezueliane, ndërsa përpiqej të udhëtonte me aeroplan nga Karakasi.
Administrata e presidentit Biden po përpiqet t’i përmirësojë marrëdhëniet me vendin që njihet për prodhimin e naftës.
Lirimi më i madh i të burgosurve amerikanë në historinë e Venezuelës vjen disa javë pasi Shtëpia e Bardhë ra dakord të pezullojë disa sanksione, pas një angazhimi të presidentit Maduro për të punuar drejt krijimit të kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme presidenciale në vitin 2024./VOA