SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe Izraelin

Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

Kryetari i Dhomës së Përfaqësueve, Mike Johnson, flet me gazetarët pas miratimit. Foto: Reuters

Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi të shtunën me mbështetje të gjerë dypartiake ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin, mes kundërshtimeve të republikanëve të vijës së ashpër.

Legjislacioni tani kalon në Senatin me shumicë demokrate, i cili miratoi një projekt-ligj të ngjashëm më shumë se dy muaj më parë.

Udhëheqësit amerikanë që nga presidenti demokrat Joe Biden e deri tek kreu i republikanëve në Senat Mitch McConnell, i kishin kërkuar prej kohësh kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ta hidhte atë në votim.

Demokratët dhe republikanët bashkuan votat për të mbështetur projekt-ligjin, pas një beteje disamujore lidhur me pjesën e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën ndërsa ajo vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur agresionin rus.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi pjesën e ndihmës për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh, me një mbështetje dërrmuese, në një demonstrim të fortë të mbështetjes amerikane.

Edhe ndihma prej 26 miliardë dollarësh që ndihmon Izraelin dhe ofron ndihmë humanitare për banorët e Gazës, u miratua lehtësisht.

Një pjesë e paketës ligjore mbi sigurinë kombëtare, si edhe një tjetër për ndihmën për aleatët e Shteteve të Bashkuara në Indo-Paqësor, u miratuan me shpejtësi.

Legjislacioni shkon tani në Senat, ku miratimi i tij në ditët në vijim është thuajse i siguruar.

Presidenti Joe Biden i bëri thirrje Senatit të votojë me shpejtësi dhe ta dërgojë atë në Shtëpinë e Bardhë, në mënyrë që ai ta nënshkruajë, duke e kthyer në ligj.

“Sytë e botës janë drejtuar ndaj nesh dhe historia do të gjykojë se çfarë po bëjmë sot”, tha kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, republikani, Michael McCaul.

Veprimi i ligjvënësve këtë fundjavë ishte në kontrast me muaj të tërë ngërçi dhe bllokimesh, shkaktuar nga republikanët, të cilët përbëjnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, por që janë thellësisht të përçarë rreth ndihmës së huaj, sidomos për Ukrainën ndërsa ajo lufton agresionin rus.

Kryetari Johnson, duke vënë në rrezik postin e tij, u mbështet tek votat e demokratëve këtë javë për të futur në rendin e ditës disa votime për tre projekt-ligje për ndihmat, si edhe një të katërt me disa propozime të tjera për politikën e jashtme

“Ky është moment historik”, tha ligjvënësi nga Nju Jorku, Gregory Meeks, demokrati kryesor në Komisionin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Miratimi nga Dhoma e Përfaqësuesve heq pengesën më të madhe ndaj kërkesës për ndihmën të Presidentit Biden, që fillimisht u bë në tetor kur pajisjet ushtarake të Ukrainës po shkonin drejt fundit.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane, skeptike për vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën, pati për muaj të tërë mosmarrëveshje për këtë aspekt të projekt-ligjit.

Arritja deri në pikën e votimit ka qenë një rrugë e vështirë për zotin Johnson dhe ky proces ka vënë në provë edhe vendosmërinë e tij edhe mbështetjen për të mes republikanëve, një pjesë e vogël e të cilëve por që po shtohet në numër, po kërkojnë haptazi largimin e tij nga detyra.

Megjithatë, udhëheqësit e kongresit i hodhën votat në një pikë kthese në histori, në një moment kur aleatët e SHBA-së përballen me luftëra dhe kërcënime, nga Evropa në Lindjen e Mesme dhe në Azi. /VoA

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika