Krahas partnerëve ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave.
“Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në postimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në këtë njoftim tutje thuhet se Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat nga partnerët e saj ndërkombëtarë për ta bërë këtë.
“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”.
Mes tjerash theksohet se “është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin”.
Në mbledhjen e 103-të, Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim për riregjistrimin e targave ilegale KM, SRB në targa legale RKS.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten të bëjë shkallëzimin e sanksioneve që i presin qytetarët që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS deri më 31 tetor.