Baza detare amerikane në Gjirin e Guantanamos në Kubë është e njohur kryesisht për strehimin e të dyshuarve për terrorizëm, përfshirë ata që janë dërguar pas sulmeve të 11 shtatorit dhe talebanëve.
Këtë javë, baza detare e Guantanamos u vu përsëri në qendër të vëmendjes ndërsa zyrtarët po përgatiten për të zhvendosur aty rreth 30 mijë emigrantë, që janë cilësuar si ‘kriminelët e rrezikshëm” dhe individët që “është e vështirë të dëbohen”, sipas urdhrit të Presidentit Donald Trump.
“Ky numër mund të rritet, kjo varet nga vendet që nuk do t’i marrin kriminelët e tyre dhe që na i dërguan neve. Ata u futën nëpër grupet e njerëzve dhe hynë të sigurt në territorin tonë. Ata u dërguan nga ato vende që tani do të përballen me sanksione të ashpra”, ka thënë presidenti Trump.
Grupet që mbrojnë të drejtat e emigrantëve thonë se është e ligjshme, sipas ligjit amerikan, ndalimi i emigrantëve për një periudhë të shkurtër në pritje të largimit të tyre.
Por nëse vendi i origjinës nuk është i gatshëm t’i pranojë ata, ndalimi pa afat është i paligjshëm. Në Guantanamo, thonë ata, emigrantët nuk mund të apelojnë vendimin.
“Është në thelb një vrimë e zezë. Ju po dërgoni njerëz në një vend ku ata nuk do të kenë aftësinë të kontaktojnë avokatët. Ata do të jenë jashtë kontaktit me familjet e tyre. Ata do të izolohen plotësisht. Dhe me sa duket, nga ajo që tha vetë presidenti, synimi është që t’i mbajmë atje për një kohë të pacaktuar”, thotë Bill Frelick, nga organiyata Human Rights Watch.
Në Shtetet e Bashkuara, emigrantët pa dokumente mbahen në qendra paraburgimi dhe madje edhe burgje, thotë Projekti Ndërkombëtar i Ndihmës për Refugjatët.
Autoritetet amerikane kanë ndaluar emigrantë në det dhe i kanë mbajtur në Guantanamo më parë. Flitet për dhjetëra mijëra nën administratën e ish presidentëve Reagan e Clinton dhe më pak se njëqind nën administratën e Presidentit Biden. Organizata për mbrojtjen e emigrantëve thotë se ajo që Presidenti Trump dëshiron të bëjë është ndryshe.
“Nuk ka ndodhur kurrë që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë dhe arrestojnë individë brenda vendit në shkallë të gjerë si pjesë e një fushate deportimi masiv dhe t’i dërgojnë ata në Guantanamo. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë”, thotë Hannah Flamm, nga Projekti Ndërkombëtar i Ndihmës për Refugjatët.
“Guantanamo është vendi i përsosur për emigrantët që kanë kryer krime”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth në fillim të kësaj jave.
“Jemi duke zbatuar urdhrat e presidentit për t’u siguruar që të kemi një vend për emigrantët e paligjshëm me të kaluar kriminale ndërsa deportohen jashtë vendit”, deklaroi ai.
Zyrtarë të tjerë thanë se emigrantët pa dokumente që nuk kanë kryer krime mund dërgohen gjithashtu në Guantanamo.
“Rojet bregdetare ndalojnë individë në det. Ata mund t’i çojnë direkt në Gjirin e Guantanamos”, deklaroi Tom Homan, i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për kufirin
Presidenti Trump zgjodhi Guantanamon sepse nuk ka më vende që qendrat e paraburgimit, tha të premten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
“Kjo është një arsye e rëndësishme pse Kongresi duhet të miratojë sa më shpejt fondet që Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe organet federale të imigracionit të kenë mjetet që u nevojiten për të ndaluar këta individë”, deklaroi ajo.
Administratat e ish-presidentëve Obama dhe Biden u përpoqën pa sukses që të mbyllnin kampin e Guantanamos, të ndërtuar gjatë kohës kur George W. Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë, pas ndërhyrjes në Afganistan që filloi menjëherë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001./VoA