Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë ngritur akuzë ndaj biznesmenit rus, Roman Abramovich, për eksportimin e dy avionëve pa pasur licencë, ashtu siç kërkohet në bazë të sanksioneve që SHBA-ja ka vendosur ndaj Moskës në kundërpërgjigje të pushtimit të Ukrainës.
Departamenti amerikan i Tregtisë ka deklaruar më gjashtë qershor se Abramovich ka emëruar fëmijët e tij rusë si përfitues të entiteteve që kanë në pronësi dy avionët: Boeing 787 Dreamlines dhe avioni Gulfstream G650 ER. Por, Abramovich, sipas Departamentit të Tregtisë, ka vazhduar që të kontrollojë këto asete.
Departamenti i Drejtësisë urdhëroi sekuestrimin e dy avionëve dhe sipas dokumenteve gjyqësore thuhet se këta avionë kanë fluturuar drejt territorit rus më herët gjatë këtij viti, në kundërshtim me kontrollet e eksporteve të SHBA-së, shkruan REL.
Akuzat vijnë teksa autoritetet amerikane po tentojnë t’iu bëjnë presion biznesmenëve të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, që ta bindin Moskën që t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Abramovich personalisht nuk është sanksionuar nga SHBA-ja, por ai është sanksionuar nga Qeveria britanike dhe është detyruar që ta shesë klubin e tij të futbollit, Chelsea.
Një konsorcium i udhëhequr nga njëri nga pronarët e ekipit të bejsbollit në Los Anxhelos, javën e kaluar bleu këtë klub anglez të futbollit.