Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska e Maqedonisë së Veriut dhe sekretari i mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin, kanë zhvilluar një takim në Pentagon.
Gjatë takimit u vendosën bazat për zhvillimin e bashkëpunimit në mbrojtje ndërmjet aleatëve, për dhjetë vitet e ardhshme në mes të dy vendeve.
Nënshkrimi i udhërrëfyesit të ri përcakton fushat në bashkëpunimin maqedono-amerikan në fushën e mbrojtjes, të cilat do të jenë prioritet në dekadën e ardhshme dhe përmes të cilave do të zhvillohet mbrojtja dhe ushtria.
“Maqedonia e Veriut tani është anëtare e NATO-s dhe ne së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojmë krah për krah në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë. Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara na dhanë një mbështetje të madhe që nuk ishte vetëm financiare. Kemi shkëmbyer njohuri dhe përvojë, kemi praktikuar dhe trajnuar së bashku dhe jemi krenarë që kontribuojmë në sigurinë e NATO-s dhe të rajonit”, tha gjatë takimit ministrja Petrovska.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lloyd Austin, është shprehur se Maqedonia e Veriut është një mike e vjetër dhe e shkëlqyer e Shteteve të Bashkuara që ndajnë të njëjtat interesa dhe vlera.
Austin është shprehur se ndihet krenar që SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut kanë një partneritet afatgjatë dhe të fortë dypalësh, teksa shtoi se udhërrëfyesi për bashkëpunim gjatë 10 viteve të ardhshme tregon se të dyja vendet mund të punojnë së bashku për modernizimin dhe të përballen së bashku me sfidat globale.
Përveç udhërrëfyesit të ri në fushën e mbrojtjes, gjatë takimit u diskutua edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës. Ministrja Petrovska tha se Maqedonia e Veriut e dënoi që në fillim këtë pushtim të paprovokuar dhe të pajustifikuar dhe shtoi se mbështetja për Ukrainën nuk është vetëm politike, por edhe në formën e donacioneve të pajisjeve ushtarake.
Sekretari i Mbrojtjes Austin shprehu mirënjohjen për gjithçka që Maqedonia e Veriut ka bërë në mbështetje të popullit ukrainas, për forcimin e krahut lindor të Aleancës përmes pjesëmarrjes në forcat shumëkombëshe të NATO-s në Letoni, Bullgari dhe Rumani, si dhe për sigurinë e rajonit, përmes pjesëmarrjes në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.