ShBA-ja e BE-ja s’ia ndalin kritikat Kurtit, opozita e akuzon se po e përdor Policinë për vota

Partitë opozitare kanë kritikuar ashpër vendimet e fundit të Qeverisë Kurti për aksionet në veri, duke theksuar se “veprimet populiste” dhe “të ngutshme” dëmtojnë procesin e integrimit evropian dhe raportet me aleatët. Njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike kanë paralajmëruar për pasojat e mundshme nga këto veprime

Fotografi ilustruese nga portali Dukagjini.

Edhe njëherë tjetër, Kosova u kritikua për moskoordinim dhe veprime të njëanshme. Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), aleati kryesor, i cili tha se aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në veri mund të shkaktojë vetëm tensione e jo dobi.

Kritika e fundit e SHBA-së kishte të bënte me aksionin ndaj institucioneve financiare serbe në veri, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat veriore.

Kosova e “vetme” pas aksionit në veri, pas ShBA-së kritikohet edhe nga BE-ja për moskoordinim

Duke shprehur zhgënjimin, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), mëngjesin e së martës, ka theksuar se ky veprim minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kjo kritikë e ashpër, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka ardhur si pasojë e mosnjoftimit paraprak dhe moskoodrinimit të veprimeve me aleatët.

“Reagimi është pasojë e mosnjoftimit të aleatëve dhe e moskoordinimit të veprimeve me ta. Qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës u duhet mbështetja e aleatëve”, kështu ka thënë deputeti i LDK-së, Kujtim Shala për Dukagjinin.

Kujtim Shala, LDK/ foto arkiv

Po ashtu, edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka theksuar se qeveria po i bën veprimet e policisë, si veprime politike, dhe kjo, sipas saj, është e dëmshme.

“Nuk duhet të ndërhynë në punët e policisë. Ministri i Brendshëm është bërë hetues, policë, gjithçka, e më së paku ministër”, ka shtuar ajo.

Gjithmonë ka pas aksione të policisë ne veri por, sipas saj, jo me prezencë të politikanëve, “duke tentuar t’i marrin meritat, sepse po u shkojnë katër vitet të qeverisë duke mos e mësuar që sistemet politike në vend janë të ndara”.

“Krejt këta veprime në veri po i bëjnë për qëllim elektorale, jemi afër zgjedhjeve dhe se nuk dijen çfarë të bëjnë e kanë kolapsuar këtë vend edhe marrin veprime në veri, me qëllim të largohet fokusi nga dështimet. Punë që Policia e Kosovë si ka të përditshme, këta tatojnë ti ‘shesin’ e po bëjnë diçka, si në veri, si në jug, policia po e kryen punën e saj”, ka deklaruar ajo.

Pasi qeveria është në fund të mandatit të saj, kryeministri Albin Kurti po mundohet të bëjë “veprime populiste” që ta mbajë elektoratin duke thënë se po shtrin sovranitetin në veri, kështu është vlerësuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Kurti e ka obligim që për veprime të tilla të koordinohet me KFOR-in. Na vjen keq që situata ka ardhur në këtë gjendje që DASH të merret edhe me këto çështje të tilla. Por, kjo qeveri duke e parë që është në fund të mandatit po mundohet me veprime të tilla të pakoordinuara, të pakonsultura të bëj veprime populiste në mënyrë që me e mbajt elektoratin e vet, me tendencën që me thënë  se po shtrin sovranitet në veri, gjë që nuk qëndron. Ju e dini çështjen e dinarit, reagimin që e kemi pasur, kohën shtesë që kanë kërkuar aleatët tanë”, ka deklaruar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

Time Kadrijaj, AAK / foto arkiv

Një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare është deeskaslimi i situatës në veri, por deputetja e AAK-së ka thënë se Qeveria Kurti po punon për të kundërtën e kësaj.

“Një prej kërkesave të aleatëve është të mos nxiten konfliktet, të punohet në deeskalim të situatës, ndërsa, kjo qeveri po punon në të kundërtën. Kosovës po i dëmtohet rruga e integrimit evropian, tri vjet qeverisje e më tepër pa asnjë njohje të re, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Kosova është izoluar, po shihet se kryeministri ende nuk e ka ndonjë vizitë bilaterale nga ndonjë vend. Lëndimi i raporteve me aleatët tanë kjo një e  vërtetë e hidhur, dhe më mirë për Kosovën është që kjo qeveri të dorëhiqet”, ka thënë Kadrijaj.

Portali Dukagjini ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, por nga të njëjtit deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Si e shohin njohësit e çështjeve politike dhe ekonomike?

Institucionet kanë të drejtë të zhvillojnë aksione në mbrojtje të vendit, por për veriun duhet të ketë bashkëveprim me ndërkombëtarët, kështu ka theksuar analisti politik, Artan Muhaxhiri.

“Institucionet ligjzbatuese e kanë të drejtën absolute për të ndërmarrë aksione në veri, me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe rendit ligjor. Mirëpo, ky rajon është pjesa më komplekse e shtetit tonë, prandaj çdo aksion domosdoshmërisht duhet ta përfshijë komponentin e bashkëveprimeve shumëdimensionale,” ka thënë Muhaxhiri.

Aleatët, sipas Muhaxhirit, asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim idenë e lidershipit të Kosovës për vendosjen e ligjshmërisë në veri.

“Por, shkaku i kontekstit delikat ndëretnik dhe potencialit të madh për shpërthime konfliktesh, vazhdimisht kanë kërkuar që të ketë koordinime dhe harmonizime”, ka thënë Muhaxhiri.

Artan Muhaxhiri, analist politik/ foto nga arkivi

Esenca e qasjes shtetërore ndaj veriut duhet të jetë kërkimi i zgjidhjeve afatgjate, thotë Muhaxhiri, ku sipas tij vetëm kështu kontribuohet në shtetndërtim dhe integrim të vullnetshëm të pakicës serbe në sistemin shtetëror, përndryshe, improvizimet afatshkurtra do të kenë përfitime të vogla dhe dëme të mëdha, me rrezik permanent të prapakthimit.

“Për çdo populizëm, ngutje dhe gabim planifikues në veri, Qeveria e Kosovës do të paguajë çmim politik në Bruksel dhe Uashington. Shembulli më i mirë është ai i dinarit. Pesha reale e kësaj çështjeje është e pakrahasueshme me gjithë vëmendjen, kritikat dhe energjitë politike të dedikuara prej 27 dhjetorit 2023. Është humbur shumë kohë me të, në vend se të bisedohej për tema madhore që do ta avanconin kualitetin e jetës së qytetarëve”, ka deklaruar Muhaxhiri, për Dukagjinin.

Ndërsa, njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, është shprehur se Kosova është ende nën masat e BE-së dhe për këtë institucionet në veprimet e tyre duhet të tregojnë më shumë kujdes.

“Duhet të kuptohet e vërteta që Kosova është nën masat e Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim duhet vërtet të kemi kujdes në veprimet institucionale, në rend të dytë çdo aktivitet i pakoordinuar me aleatët, në veçanti me SHBA, po i kthehet boomerang negativ Kosovës dhe e treta e tërë fusha e dialogimit me Serbi tani po merr ngjyrë e konotacion social, që duke pasur parasysh dobësinë diplomatike dhe lobuese të Kosovës, Kosova do të jetë prapë e dëmtuar nëqoftëse jemi në prag të dialogut dhe është paralajmëruar që do të ketë ndoshta prapë takime për çështjen e dinarit besoj që një veprim I tillë është paksa i ngutur,” ka thënë Gërxhaliu.

Safet Gërxhaliu, njohësi i çështjeve ekonomike/ foto nga arkivi

Sipas Gërxhaliut, Kosova do të ndëshkohet dhe një aktivitet i tillë do të jetë vetëm një prolongim i masave ndaj Kosovës dhe tani me një arsyetim tjetër me konotacion social.

“Nuk e konteston askush të drejtën legjitime të Kosovës, por rrethanat dhe në kohën në të cilën veprohet janë të ndryshme, prandaj në këtë drejtim ndodh që prapë Kosova do të jetë e penalizuar, Kosova do të ndëshkohet”, ka thënë ai.

Gërxhaliu thotë se beson që dialogu nuk ka alternativë dhe gabimi më i madh që e kanë bërë Qeveritë e Kosovës është se nuk ka pasur dialog të mirëfilltë me veriun.

“Nuk bisedohet në veri vetëm për atë që ndodh në Bruksel dhe takimet me Vuçiqin, por me qytetarët e Kosovës dhe serbët që jetojnë në Kosovë, duhet të  ketë alternative”, ka thënë Gërxhaliu për Portalin Dukagjini.

Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian e ka kritikuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se ky veprim sjell tensione dhe e cenon normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.

BE-ja i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë “të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga Lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”.

KFOR-i thotë se s’u njoftua me kohë nga policia për aksionin në veri

Gjithashtu, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është njoftuar “pak para” aksionit të policisë së Kosovës në veri ndaj institucioneve financiare serbe që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës.

Në një komunikatë për media thuhet se personeli i KFOR-it nuk ka qenë i përfshirë në këtë aksion teksa theksohet se  “pret konsultime me kohë për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që mund të ndikojë në sigurinë rajonale”.

Aksioni i i policisë së Kosovës erdhi një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Aksioni i Policisë në veri, konfiskohen rreth 74 milionë dinarë

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika