Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka mirëpritur pranimin e propozimit të Bashkimit Evropian (BE) nga pala e Kosovës.
Hovenier ka shkruar se ShBA-ja do të ofrojë mbështetje të plotë për dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga BE-ja.
Kjo marrëveshje sipas tij e përkohshme do të sjellë përfitime të mëdha, si për Kosovën ashtu, edhe për Serbinë
“Shtetet e Bashkuara inkurajohen dhe mirëpresin vendimin e Kosovës për të pranuar në parim Propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën mbrëma, pas takimit me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Kreu i Qeverisë kosovare ka thënë se këtë propozim do ta konsiderojë si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.
Tutje, Kurti ka thënë se disa pyetje mbi garancitë ndërkombëtare, mekanizmat e zbatimit dhe renditjen kohore, do të trajtohen së shpejti gjatë bisedimeve në Bruksel.