Microsoft do të paguajë një gjobë prej 20 milionë dollarësh rregullatorëve federalë të ShBA-së, pasi u zbulua se gjiganti amerikan i teknologjisë kishte grumbulluar në mënyrë të paligjshme të dhëna për fëmijët që kishin hapur llogari në Xbox.
Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) arriti një marrëveshje me kompaninë më 5 qershor – marrëveshje kjo që përfshin edhe mbrojtje shtesë për videolojërat e fëmijëve.
Veprimet e kompanisë shkelën Aktin e Mbrojtjes së Privatësisë së Fëmijëve në Internet të SHBA-së (COPPA) duke mbledhur të dhëna nga fëmijët – pa njoftuar prindërit e tyre ose për të marrë lejen e tyre – të cilët regjistroheshin për sistemin e lojërave Xbox të kompanisë, ka thënë Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), në një deklaratë.
Urdhri i FTC gjithashtu kërkon që Microsoft të marrë hapa për të forcuar mbrojtjen e privatësisë për përdoruesit fëmijë të sistemit Xbox. Urdhri gjithashtu zgjerohet në botën e botuesve të lojërave të palës së tretë, me të cilën Microsoft ndan të dhënat e fëmijëve.
“Urdhri ynë i propozuar e bën më të lehtë për prindërit të mbrojnë privatësinë e fëmijëve të tyre në Xbox dhe kufizon informacionin që Microsoft mund të mbledhë dhe ruajë për fëmijët,” ka thënë Samuel Levine, drejtor i Biroit të Mbrojtjes së Konsumatorit të FTC. “Kjo veprim duhet gjithashtu të bëjë qartë se avatarët e fëmijëve, të dhënat biometrike dhe të dhënat e shëndetit nuk janë përjashtuar nga COPPA”, raporton Cnet.
Sipas COPPA-së, kompanitë janë të ndaluara të mbledhin të dhëna nga fëmijët nën 13 vjeç pa lejen e prindërve të tyre dhe nuk mund të përdorin të dhënat e mbledhura për fëmijët për qëllime komerciale si marketingu ose reklamimi. Të gjitha të dhënat e ruajtura duhet të mbrohen në mënyrë të përshtatshme nga vjedhja e mundshme dhe kompanitë nuk lejohet të ruajnë të dhënat e fëmijëve për më gjatë se sa është e nevojshme.
Microsoft ruajti të dhëna nga viti 2015 deri në 2020 që i mblidhte gjatë procesit të krijimit të llogarisë, madje edhe kur një prind dështonte të plotësonte procesin, sipas ankesës.
Microsoft ka thënë se është i angazhuar për të plotësuar urdhrin e FTC-së.
Si pjesë e marrëveshjes së arritur me FTC-në, Microsoft duhet gjithashtu të krijojë mbrojtje të reja sigurie për fëmijët. Kjo përfshin mbajtjen e një sistemi për t’i fshirë të gjitha të dhënat personale pas dy javësh, nëse nuk merret pëlqimi prindëror.
Urdhri duhet të miratohet nga një gjykatës federal përpara se të hyjë në fuqi.
Javën e kaluar, Amazon ra dakord të paguante 25 milionë dollarë, pasi FTC-ja zbuloi se kishte ruajtur të dhëna të ndjeshme, përfshirë regjistrimet zanore të fëmijëve, për vite me radhë.