ShBA-ja ka vendosur në listë të zezë policinë morale të Iranit pas vdekjes së Mahsa Amini

Policia morale e Iranit është vendosur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini

Protestuesit në Teheran, duke protestuar për vdekjen e një gruaje në paraburgim (foto: EPA)

Shtetet e Bashkuara vendosën policinë morale të Iranit në listën e saj të zezë të sanksioneve të enjten, pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini, një 22-vjeçare e arrestuar për dyshimin se mbante shaminë e saj në mënyrë jo të duhur.

Nga departamaneti i Thesarit të ShBA-ve kanë deklaruar se policia e moralit ishte “përgjegjëse” për vdekjen e Amini, e cila ka shkaktuar një shpërthim zemërimi popullor, pasi shpalli sanksionet “për abuzim dhe dhunë ndaj grave iraniane dhe shkeljen e të drejtave të protestuesve paqësorë iranianë”.

Masa e sanksioneve u ndërmor pasi protesta të dhunshme shpërthyen në të gjithë Iranin pas vdekjes javën e kaluar të kurdo-iranianes Amini, e cila ishte arrestuar nga njësia e moralit publik të policisë kombëtare.

“Mahsa Amini ishte një grua e guximshme, vdekja e së cilës në paraburgimin e policisë morale ishte një akt tjetër brutaliteti nga forcat e sigurisë të regjimit iranian kundër popullit të tij,” tha Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

“Ne e dënojmë këtë akt të pandërgjegjshëm në termat më të ashpër dhe i bëjmë thirrje qeverisë iraniane që t’i japë fund dhunës së saj ndaj grave dhe goditjes së vazhdueshme të dhunshme ndaj shprehjes dhe grumbullimit të lirë”, tha Yellen në një deklaratë.

Sipas një numërimi zyrtar, të paktën 17 persona kanë vdekur në trazira pas vdekjes së Amini, ndërsa gratë dogjën shamitë e tyre dhe protestuesit denoncuan udhëheqjen e qeverisë dhe kufizimet ndaj grave.

Grupi joqeveritar i Iranit për të Drejtat e Njeriut me bazë në Oslo tha se të paktën 31 civilë ishin vrarë në gjashtë net dhunë.

Thesari vendosi gjithashtu sanksione ndaj Mohammad Rostami Cheshmeh Gachi, kreut të policisë së moralit, Haj Ahmad Mirzaei, kreut të divizionit të policisë morale të Teheranit, dhe pesë zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë të përfshirë në shtypjen e protestuesve, njofton AFP.

Ai tha se Rostami kishte njoftuar në fillim të këtij viti se gratë do të ndëshkoheshin për refuzimin e veshjes së hixhabit.

“Qeveria iraniane duhet t’i japë fund persekutimit sistematik të grave dhe të lejojë protesta paqësore,” tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të shprehin mbështetjen tonë për të drejtat e njeriut në Iran dhe të kërkojnë llogari nga ata që i shkelin ato”, tha ai në një deklaratë.

Sanksionet e thesarit synojnë të ngrijnë çdo aset që ata mund të kenë nën juridiksionin e SHBA-së dhe të ndalojnë çdo individ apo kompani amerikane, duke përfshirë bankat ndërkombëtare me operacione në SHBA, të bëjnë biznes me ta, duke kufizuar efektivisht aksesin e tyre në rrjetet financiare globale.

Mahsa Amini, një grua kurde 22-vjeçare nga qyteti veriperëndimor i Saqezit, vdiq në spital në Teheran të premten pas tri ditësh në koma.

Ajo ishte duke vizituar kryeqytetin më 13 shtator kur u arrestua nga oficerët e policisë së moralit, të cilët e akuzuan për shkelje të ligjit që u kërkon grave të mbulojnë flokët me hixhab ose shami dhe krahët dhe këmbët me veshje të gjera. Ajo u rrëzua pasi u dërgua në një qendër paraburgimi.

Ka raportime se oficerët e kanë rrahur kokën e zonjës Amini me shkop dhe e kanë përplasur kokën në një nga automjetet e tyre. Policia ka thënë se nuk ka prova për ndonjë keqtrajtim dhe se ajo pësoi “insuficiencë të papritur të zemrës”.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika