ShBA-ja kërkon lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Ata besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin masa për të zbutur situatën dhe të respektojnë planin prej tre pikash të paraqitur nga Bashkimi Evropian

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të enjten lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe. Ky qëndrim u shpreh nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në konferencën e përditshme për shtyp.

“Ne besojmë se si Kosova dhe Serbia duhet të marrin masa për të çtensionuar situatën dhe kjo përfshin lirimin pa kushte të tre oficerëve të policisë së Kosovës që u ndaluan së fundmi”, ka deklaruar ai.

Miller gjithashtu ka thënë se “të dyja palët duhet të ndjekin planin prej tre pikash që ka paraqitur BE-ja”.

“Si pjesë e kësaj kryeministri Kurti duhet të garantojë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat e policisë”, ka thënë Miller.

Siç ka raportuar Zëri i Amerikës, Miller ka deklaruar se ShBA-ja dënon “dhunën e papranueshme ndaj forcave të KFOR-it, anëtarëve të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve dhe përsa i takon rrugës më tej ne vazhdojmë të angazhohemi si drejtpërdrejt me të dyja palët, dhe me partnerët në rajon.”

Ai ka thënë se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, këshilltari Derek Chollet dhe zyrtarë të tjerë të DASH-it janë të angazhuar me partnerët në rajon për këtë çështje.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të thoshte nëse ShBA-ja po përgatit masa apo sanksione si kundërpërgjigje.

“Nuk dua të flas për masa të mundshme në këtë moment. Fokusi ynë është që t’u bëjmë të qarta palëve pritshmëritë tona, që të dyja palët të marrin masa për të lehtësuar tensionet dhe të ndjekin planin me tre pika të paraqitur nga BE-ja”.

Ndërkohë më herët shefi i politikës se Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se do t’i thërras Kosovën dhe Serbinë në një takim javën e ardhshme në Bruksel, për menaxhimin e krizës.

Borrell nuk ka njoftuar nëse takimi do të jetë në nivelin më të lartë politik. Megjithatë, burimet ne Bruksel thanë se në takim do të ftohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Shefi i diplomacisë evropiane e bëri paralajmërimin në fillim të një takimi me ministrat e NATO-s, duke theksuar se bashkëpunimi mes bllokut dhe aleancës ushtarake shkon përtej Ukrainës.

“Për shembull, në Kosovë ditëve të fundit u pa se sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim dhe dëshiroj të falënderoj KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it për punën që po bën në veri të Kosovës”, ka thënë Borrell.

Ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian po përpiqet të kuptojë se çfarë ka ndodhur saktë lidhur me arrestimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe një ditë më parë ndërsa ritheksoi thirrjet për qetësi në terren.

Në natë më parë ai ka deklaruar në një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se një raund i ri i bisedimeve nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.

Shija e redaktorit

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Rama uron Kurtin me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së...

Kryeministri i Republikë së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar urime nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë...

Të fundit nga rubrika