SHBA-ja kryen sulme hakmarrëse në Irak

Presidenti Joe Biden, ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të kryejë sulme hakmarrëse ajrore kundër grupeve të milicive që mbështeten nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën në një sulm me dron në veri të Irakut

Avionë të ushtrisë amerikane duke fluturuar mbi veriun e Irakut. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Presidenti Joe Biden ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të kryejë sulme hakmarrëse ajrore kundër grupeve të milicive që mbështeten nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën në një sulm me dron në veri të Irakut.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha se një nga ushtarët ka pësuar lëndime kritike gjatë sulmit që ndodhi të hënën e 25 dhjetorit.

Milicia Kataib Hezbollah, që mbështetet nga Irani, dhe grupe të lidhura me të që janë pjesë e ombrellës së militantëve të mbështetur nga Teherani, morën përgjegjësinë për sulmin me dron.

Biden, i cili po kalon Krishtlindjen në Kamp David në Marilend, u njoftua për sulmin nga këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Pak pas sulmit të së hënës, presidenti amerikan urdhëroi Pentagonin dhe këshilltarët e tjerë të sigurisë kombëtare që të përgatisin opsione për përgjigje ndaj sulmit në një bazë ajrore që përdoret nga trupat amerikane në Erbil.

Pasi zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe këshilltarët e sigurisë kombëtare u konsultuan për opsionet, disa orë më pas, Biden zhvilloi një bisedë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Biden vendosi që ushtria amerikane të sulmonte tri lokacione të përdorura nga Kataib Hezbollah dhe grupet e lidhura me të, tha një zyrtar që është në dijeni për çështjen, por i cili foli në kushte anonimiteti, raporton AP.

Sulmet ajrore amerikane u kryen në orën 04:45 të martën në Irak, më pak se 13 orë pas sulmit ndaj personelit amerikan.

Sipas Komandës Qendrore amerikane, sulmet hakmarrëse në tri lokacione “shkatërruan ndërtesat e shënjestruara dhe ka të ngjarë që kanë vrarë një numër të militantëve të Kataib Hezbollahut”.

“Presidenti vendosi prioritet mbrojtjen e personelit amerikan”, tha zëdhënësja Watson. “SHBA-ja do të veprojë me kohë dhe mënyrën që zgjedh nëse sulme të tilla vazhdojnë”.

Sulmi i fundit vjen pas muajsh të përshkallëzimit të kërcënimeve dhe veprimeve ndaj trupave amerikane në rajon, qëkur Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – kreu sulme në Izrael më 7 tetor, duke nxitur luftën shkatërruese në Gazë.

Që nga 7 tetori, milicitë e mbështetura nga Irani kanë kryer dhjetëra sulme ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri.

Muajin e kaluar, një avion luftarak amerikan goditi një qendër komanduese të Kataib Hezbollahut, pasi forcat amerikane kishin kryer një sulm me raketa balistike në bazën Al-Assad në perëndim të Irakut. Milicitë e mbështetura nga Irani kishin kryer një sulm me dron në po të njëjtën bazë në tetor.

SHBA-ja po ashtu ka fajësuar Iranin, që financon dhe trajnon Hamasin për sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit kundër anijeve komerciale dhe ushtarake në Detin e Kuq./rel

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika