SHBA-ja me 690 milionë dollarë programe për të fuqizuar demokracinë në mbarë botën

Presidenti Joe Biden hapi punimet e takimit të dytë për Demokracinë, duke premtuar se Shtetet e Bashkuara do të investojnë 690 milionë dollarë gjatë vitit që vjen

Presidenti Joe Biden hapi punimet e takimit të dytë për Demokracinë, duke premtuar se Shtetet e Bashkuara do të investojnë 690 milionë dollarë gjatë vitit që vjen për të fuqizuar programet e demokracisë në mbarë botën.

“Po ndryshojmë rrjedhën këtu. Siç e themi shpesh, gjendemi këtu në një pikë kthese të historisë, kur vendimet që marrim sot do të ndikojnë te kursi i botës sonë për të paktën disa dekada në vazhdim”, tha presidenti Biden, shkruan VOA.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë në veçanti që ta bëjnë “teknologjinë të punojë në favor të demokracisë dhe jo kundër saj”.

Në këtë forum, kryeministrat e tetë vendeve evropiane nënshkruan një letër të hapur drejtuar drejtuesve të kompanive kryesore të mediave sociale duke u bërë atyre thirrje që të tregohen më agresivë në bllokimin e përhapjes së informacionit fals në platformat e tyre. Letra u nënshkrua nga udhëheqësit e Ukrainës, Moldavisë, Polonisë, Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Sllovakisë.

“Platformat e teknologjisë si e juaja janë shndërruar në fushëbeteja virtuale, dhe fuqi të huaja armiqësore po i përdorin për të përhapur variante false që bien në kontradiktë me raportimin që bëjnë mediat me lajme të bazuara në fakte”, thotë letra.

“Reklamat e paguara dhe rritja artificialisht e mesazhit në platformat e kompanisë Meta, përfshirë Facebook-un, përdoren shpesh për të bërë thirrje për trazira sociale, shkaktim të dhunës në rrugë dhe destabilizimin e qeverive”.

Rreth 120 udhëheqës nga mbarë bota janë duke marrë pjesë në takimit përgjithësisht virtual, një përpjekje e presidentit Biden për të forcuar pozitat e demokracive në një kohë kur qeveritë autokratike po përparojnë me agjendat e tyre, si sulmi prej 13-muajsh i Rusisë në Ukrainë dhe aleanca e Kinës me Moskën.

“Presidenti Biden e ka quajtur betejën për të fuqizuar qeverisjen demokratike në vend dhe jashtë tij si sfidën përcaktuese të kohërave tona”, deklaroi Shtëpia e Bardhë. “Kjo është për shkak se demokracia, qeverisja transparente dhe e përgjegjshme përpara popullit, mbeten mënyra më e mirë për të arritur paqe afatgjatë, begati dhe dinjitet njerëzor”.

Përpara se të mbanin fjalimet e tyre udhëheqësit në lidhje me demokracinë në vendet e tyre, presidenti Biden dhe presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol thanë nëpërmjet një deklarate të përbashkët se “forcimi i qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, të bazuar te miratimi i të qeverisurve është një parim themelor i kohërave tona”.

Shtëpia e Bardhë tha se financimi i ri amerikan, për të cilin do të duhet miratimi i Kongresit, do të përqendrohet te programet që mbështesin median e lirë dhe të pavarur, luftimin e korrupsionit, fuqizimin e të drejtave të njeriut, mbështetjen e teknologjive që përmirësojnë demokracinë, si dhe mbështetjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Por, Shtëpia e Bardhë pranoi edhe mangësitë e vetë Shteteve të Bashkuara për sa i përket demokracisë, përfshirë faktin që deri më tani presidenti Biden nuk ka arritur të fitojë miratimin në Kongres të legjislacionit që synon të zgjerojë të drejtën e votës.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë vuri në dukje se është shtuar personeli i Departamentit të Drejtësisë për zbatimin e të drejtës së votës dhe se është miratuar legjislacion për të qartësuar procedurat e votimit në Kongres gjatë procesit të numërimit të votave elektorale për zgjedhjen e presidentit.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika