Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar një iniciativë shumëkombëshe për të luftuar rritjen e numrit të sulmeve nga rebelët Huthi të Jemenit, ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka thënë se iniciativa e re, e quajtur Operacioni, Ruajtësi i Prosperitetit, do të “adresojë sfidat e sigurisë në jug të Detit të Kuq dhe Gjirit Aden, me qëllim të garantimit të lëvizjes së sigurt për të gjitha shtetet, si dhe për të rritur sigurinë dhe prosperitetin rajonal”.
Shtetet, përfshirë Britaninë, Francën, Italinë dhe Norvegjinë, do t’i bashkohen misionit, ka thënë Austin përmes një deklarate.
“Kjo është sfidë ndërkombëtare që kërkon veprim kolektiv”, ka thënë ai.
Në aleancë pritet të përfshihen edhe Kanadaja, Spanja, Holanda, Bahrejni, dhe Sejçells.
Sipas ushtrisë amerikane, së fundi janë rikthyer sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve në jug të Detit të Kuq.
Një anije e madhe e Ishujve Kajman është sulmuar të hënën me dronë, dhe një raketë është nisur prej zonave të kontrolluara nga rebelët Huthi në Jemen, ka thënë Komanda Qendrore amerikane në një postim në rrjetet sociale.
Rreth periudhës së njëjtë, një anije tjetër ka raportuar për një shpërthim në ujërat në afërsi.
Nuk është raportuar për të plagosur në asnjërin prej incidenteve.
Prej shpërthimit të luftës në Gazë, rebelët Huthi, të mbështetur prej Iranit, kanë sulmuar vazhdimisht Izraelin me dronë dhe raketa, si dhe kanë shënjestruar anije komerciale në Detin e Kuq, për t’ua parandaluar udhëtimin drejt Izraelit.
Rebelët kanë thënë se anijet e secilit shtet, që udhëtojnë drejt Izraelit, janë “shënjestra legjitime” të forcave të tyre, derisa Rripi i Gazës të pranojë ushqimet dhe ilaçet që i duhen.
Shumë kompani të mëdha kanë pezulluar dërgesat përmes Detit të Kuq dhe Kanalit Suez, për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
“Përshkallëzimi që ka ndodhur së fundi nga sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit, kërcënon lëvizjen e lirë të mallrave, rrezikon marinarët e pafajshëm dhe shkel ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Austin, që aktualisht po kryen një udhëtim në Lindje të Mesme.
Kanali i Suezit lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq, duke e bërë rrugën më të shkurtër detare në mes të Azisë dhe Evropës.
Rreth 10 për qind e tregtisë globale qarkullon në këtë rrugë.
Një rrugë alternative është përmes Kepit të Shpresës së Mirë, në Afrikën e Jugut, por që zgjat periudhën e transportit për dy javë.