Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), ka vendosur sanksione ndaj Vladimir Perišić dhe kompanisë së tij, Elpring, për mbështetje të një rrjeti korruptiv në Bosnje dhe Hercegovinë (BiH).
Ky rrjet, sipas sanksioneve të SHBA-së, ka për qëllim të shmangë sanksionet amerikane dhe është drejtpërdrejt i lidhur me Igor Dodik, djalin e Milorad Dodik, presidentit të Republikës Srpska (RS).
Në një deklaratë të lëshuar nga OFAC, theksohet se për vite me radhë, Milorad Dodik ka shfrytëzuar pozitat e tij zyrtare për të grumbulluar pasuri personale përmes kompanive të lidhura me të dhe me djalin e tij.
Ky korrupsion, siç thuhet në sanksion, ka minuar besimin e publikut në institucionet shtetërore të Bosnjë-Hercegovinës dhe ka dëmtuar sundimin e ligjit.
Bradley T. Smith, drejtori i OFAC, ka deklaruar se “presidenti i RS Milorad Dodik, bashkëpunëtorët e tij dhe ndihmësit e tij vazhdojnë të përdorin pozitat e tyre të privilegjuara për të minuar besimin e publikut në kornizat dhe institucionet rajonale të paqes që sollën stabilitet dhe siguri në Bosnje dhe Hercegovinë”.