ShBA me akuza ndaj Koresë së Veriut, thotë se e furnizoi me armë grupin “Wagner”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Korenë e Veriut se ka furnizuar me armë grupin mercenar rus, "Wagner" për përdorim të atyre armëve në luftën në Ukrainë

Foto ilustruese, Logo e grupit Wagner. FOTO: AFP

Të enjten, Shtëpia e Bardhë ka thënë se grupi “Wagner”, një kompani private ushtarake ruse, ka marrë një dërgesë armësh nga Korea e Veriut për të ndihmuar forcat e saj që luftojnë krah për krah me trupat ruse në Ukrainë.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se zyrtarët e inteligjencës amerikane përcaktuan se Korea e Veriut përfundoi një dërgesë fillestare të armëve që përfshinte raketa, muajin e kaluar, raporton BBC.

“Ne vlerësojmë se sasia e materialit të dorëzuar tek Wagner nuk do të ndryshojë dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë. Por ne sigurisht jemi të shqetësuar që Koreja e Veriut po planifikon të dërgojë më shumë pajisje ushtarake”, ka thënë Kirby.

Të premten, Koreaa e Veriut mohoi kategorikisht se kishte dërguar municione në Rusi, duke e quajtur akuzën e ShBA-së për dërgesën e armëve në Rusi “teori e pabazë” e përgatitur nga “disa forca të pandershme”.

Shtëpia e Bardhë ka alarmuar për përfshirjen në rritje të Wagner-it në luftë, pasi ata kanë qenë veçanërisht aktivë në rajonin lindor të Donbasit.

Kirby ka thënë se në disa raste zyrtarët ushtarakë rusë madje kanë qenë “në varësi të komandës së Wagner”.

Zyrtarët e administratës Biden thanë se me shitjet e armëve për grupin ushtarak privat, Korea e Veriut po shkel sanksionet e OKB-së që ndalojnë Phenianin të importojë ose eksportojë armë.

Ambasadorja, Linda Thomas-Greenfield, e dërguara e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, e quajti “të neveritshme” që Rusia, një anëtare e përhershme me të drejtë vetoje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila vendosi sanksionet, tani po përdor armë të blera nga Korea e Veriut dhe Irani ” për të vazhduar luftën e saj kundër Ukrainës”.

Një zëdhënës i paidentifikuar në Ministrinë e Jashtme të Koresë së Veriut tha në një deklaratë të transmetuar nga media shtetërore se shteti “mbetet i pandryshuar në qëndrimin e tij parimor për çështjen e “dërgesave të armëve” midis (Koresë së Veriut) dhe Rusisë, gjë që nuk ka ndodhur kurrë”.

Zëdhënësi nuk përmendi vlerësimin e ShBA-së të së enjtes se Korea e Veriut i dërgoi një sasi armësh Grupit Wagner.

Por ai akuzoi ShBA-në për “akte kriminale që sjellin gjakderdhje dhe shkatërrim në Ukrainë” ndërsa përsëriti mbështetjen e saj ndaj Rusisë në luftë.

“Dua të them se populli rus është populli më i guximshëm me vullnetin dhe aftësinë për të mbrojtur sigurinë dhe integritetin territorial të vendit të tij pa mbështetjen ushtarake të të tjerëve”, ka thënë ai.

Kirby tha se ShBA-ja tani vlerëson se Wagner ka rreth 50 mijë persona që luftojnë në Ukrainë, duke përfshirë 10 mijë kontraktorë dhe 40 mijë të dënuar që kompania ka rekrutuar nga burgjet.

“ShBA-ja vlerëson se Wagner, në pronësi të Yevgeny Prigozhin, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, po shpenzon rreth 100 milionë dollarë në muaj në luftë”, tha Kirby.

Mercenarët e Grupit Wagner janë akuzuar gjithashtu nga vendet perëndimore dhe ekspertët e OKB-së për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut në të gjithë Afrikën, duke përfshirë Republikën e Afrikës Qendrore, Libi dhe Mali.

Wagner është përballur me sanksionet e ShBA-së që nga viti 2017.

Departamenti i Tregtisë zbuloi të mërkurën kufizime të reja të eksportit që shënjestërojnë Wagner-in në një përpjekje për të kufizuar më tej qasjen e tij në teknologji dhe furnizime.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika