Kosova ka përfituar 32 milionë euro shtesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ku ka thënë se granti total ka arritur vlerën mbi 73 milionë euro.
“Edhe 32 milionë dollarë shtesë nga populli amerikan për Republikën e Kosovës”, ka shkruar presidentja Osmani.
Të enjten e 31 marsit, Osmani ka nënshkruar amandamentin e katërt të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me SHBA-të.
“Bashkë me drejtoren e USAID – Kosovo, Zeinah Salahi, e në prezencë të Ambasadorit Amerikan Jeffrey Hovenier, sot kam nënshkruar amandamentin e katërt të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili parashehë fitimin shtesë të 31 milionë e 994 mijë e 644 dollarëve”, shtoi ajo.
Sipas presidentes, mbështetja e vazhdueshme e SHBA-së është dëshmi e përkushtimit të qeverisë dhe popullit amerikan për të përforcuar mirëqenien e qytetarëve të Kosovës përmes institucioneve efektive dhe llogaridhënëse.
“Kosova është e bekuar me aleatët e saj”, është shprehur presidentja.
Ndryshe, më 25 gusht të vitit 2021, kishte nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara përmes së cilës përfiton ndihmë financiare shtesë në vlerë të 3.8 milionë dollarësh.
Kjo marrëveshje fillimisht ishte nënshkruar në nëntor të vitit 2020, me të cilën Kosova kishte përfituar 33 milionë dollarë nga USAID-i.
Ndërkaq, në maj të këtij viti, u nënshkrua amendamenti i parë i marrëveshjes, i cili i siguron Kosovës një shtesë të mjeteve financiare në shumën prej 1.6 milion dollarë.
Kurse me amendamentin e dytë të kësaj marrëveshjeje, Kosova përfiton edhe 3.8 milionë dollarë shtesë, duke e rritur vlerën totale të marrëveshjes në 38.4 milionë dollarë.