SHBA ka nisur një valë të re dhe të fuqishme sulmesh ajrore kundër grupit rebel Houthi në Jemen, si përgjigje ndaj sulmeve të tyre ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Presidenti Donald Trump konfirmoi operacionin ushtarak, duke e cilësuar atë si një kundërpërgjigje ndaj “piraterisë, dhunës dhe terrorizmit” të grupit të mbështetur nga Irani.
“Të financuar nga Irani, banditët Houthi kanë gjuajtur raketa ndaj aeroplanëve amerikanë dhe kanë vënë në shënjestër trupat dhe aleatët tanë,” shkroi Trump në platformën e tij sociale “Truth”.
Ai paralajmëroi se sulmet nuk do të ndalen derisa të arrihet objektivi.
Luftimet dhe pasojat
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Houthi-t, të paktën 31 persona janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore. Rebelët thanë se do t’i përgjigjen me forcë përshkallëzimit amerikan.
Shpërthime të fuqishme u raportuan në kryeqytetin Sanaa dhe në bastionin e tyre në provincën Saada.
Houthi-t, të cilët kanë goditur dhjetëra anije në Detin e Kuq që nga nëntori i vitit 2023, pretendojnë se veprojnë në mbështetje të palestinezëve në konfliktin Izrael-Hamas.
Sulmet e tyre kanë çuar në ndërprerjen e kalimit të anijeve tregtare nëpër Kanalin e Suezit, një rrugë kyçe për tregtinë globale.
Trump paralajmëron Iranin
Presidenti Trump i kërkoi Iranit të ndalojë mbështetjen për Houthi-t, duke e paralajmëruar se SHBA do ta mbajë Teheranin “plotësisht përgjegjës”.
“Nëse nuk ndaleni, ferri do të bjerë mbi ju si asgjë që keni parë ndonjëherë,” shkroi ai.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e cilësoi ndërhyrjen amerikane si të paligjshme dhe kërkoi ndalimin e sulmeve. Rusia gjithashtu bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas Kongresit Amerikan, Houthi-t kanë kryer 190 sulme ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq në më pak se një vit. Ndërkohë, SHBA dhe Britania e Madhe kanë kryer disa raunde sulmesh ajrore kundër objektivave të tyre, por grupi rebel vijon të mbetet aktiv./BBC