ShBA sanksionon Rusinë dhe Iranin për “mbajtjen peng” të amerikanëve

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka njoftuar të enjten një raund të parë të sanksioneve ndaj Rusisë dhe Iranit për përfshirje në marrjen e pengjeve dhe ndalimin e gabuar të qytetarëve amerikanë jashtë vendit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar sanksione të reja ndaj agjencisë ruse të inteligjencës, FSB, dhe Gardës Revolucionare të Iranit të enjten, më 27 prill.

Sanksionet e reja u nxitën nga “marrja në peng” e amerikanëve, si gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të arrestuar në Rusi muajin e kaluar.

ShBA-ja “po tregon se askush nuk mund të përfshihet në këtë lloj sjelljeje të tmerrshme të përdorimit të qenieve njerëzore si pengje, si pazare, pa pasur pasoja”, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Të dyja agjencitë veçse kanë qenë të sanksionuara më parë nga Departamentet amerikane të Shtetit dhe të Thesarit.

Por, zyrtari amerikan, siç raporton agjencia e lajmeve AFP, ka thënë se sanksionet e reja do ta theksonin pikëpamjen e SHBA-së për atë që ai e përshkroi si një fenomen në rritje të qeverive që ndalojnë shtetas të huaj për të nxjerrë përfitime politike.

“Përdorimi i qenieve njerëzore si pengje politike, si pazare, të ndaluar nga qeveritë, por me pretendime të rreme, është një praktikë që duket se po shkon në drejtimin e gabuar” ka thënë zyrtari amerikan.

Zbatimi i sanksioneve synon “ta promovojë llogaridhënien për fajtorët dhe, duke e bërë këtë, të parandalojë dhe të pengojë rastet e tilla në të ardhmen”, ka thënë zyrtari.

Sanksionet vijnë një muaj pasi Rusia arrestoi gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, duke e akuzuar atë për spiunazh.

ShBA-ja po e kërkon lirimin e tij dhe të Paul Whelan, një ish-marins amerikan i arrestuar në Rusi në vitin 2018 dhe i dënuar me dy vjet burg lidhur me akuzat për spiunazh.

Vitin e kaluar, gjatë një shkëmbimi të të burgosurve, SHBA-ja siguroi lirimin nga Rusia të basketbollistes Brittney Griner, e burgosur për akuzat për drogë dhe një tjetër ish-marins, Trevor Reed, i burgosur për sulmin ndaj një oficeri policie rus.

Të paktën tre shtetas amerikanë mbahen në burgje iraniane, përfshirë biznesmenin Siamak Namazi, i cili po mbahet në burgun Evin të Teheranit që nga viti 2015.

Thesari i ShBA-së ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj katër zyrtarëve të lartë të organit të inteligjencës IRGC.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika