Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar gjuhën ulura-nacionaliste e nxitëse të presidentit të Republikës Srpska në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik. Dodik para pak ditësh ka thënë se në këtë shekull serbët duhet ta kenë një shtet të vetëm, pjesë të së cilit sipas tij, duhet të jenë edhe Kosova dhe Mali i Zi.
Kjo u bë e ditur nga ambasadori amerikan në Sarajevë, Michael Murphy, i cili i ka cilësuar të pamatura deklaratat e Dodikut, duke theksuar se këto deklarata kërcënojnë edhe sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“Deklaratat e fundit të pamatur të zotit Dodik që bën thirrje për përmbysjen e kufijve kombëtarë në Ballkanin Perëndimor për të krijuar një shtet të bashkuar serb e bëjnë të qartë këtë. Ato jo vetëm që janë destabilizuese për Bosnjë-Hercegovinën, por kërcënojnë gjithashtu sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Ky përshkallëzim i fundit vjen në vazhdën e një fushate të qëndrueshme të retorikës dhe veprimeve destabilizuese që synojnë të minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe shtetin e BiH.
Zoti Dodik po bllokon qeverinë, po kërcënon paqen dhe po kërkon të shantazhojë apo ngacmojë liderët e tjerë politikë të vendit dhe komunitetin ndërkombëtar në vend që të angazhohet në negociatat me mirëbesim dhe kompromisin e nevojshëm për të miratuar reformat e kërkuara për të sjellë qytetarët më afër Bashkimit Evropian. .Në Republika Srpska, z. Dodik po punon për t’u mohuar banorëve të drejtat dhe liritë e tyre themelore, si liria e shtypit, e fjalës dhe e tubimit, për të mbrojtur vetën nga kritikat dhe përgjegjësia”, ka thënë Murphy.
Për këto deklarata ka reaguar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili është shprehur i befasuar nga mosreagimi i Bashkimit Evropian ndaj kësaj deklarate.
“Kanë kaluar tri ditë që nga deklaratat e rrezikshme dhe nxitëse kundër Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi. Duhet të rrëfej, jam i befasuar nga mungesa e reagimit të deritanishëm nga partnerët tanë të BE-së dhe sinqerisht shpresoj që kjo heshtje të thyhet sa më shpejt”, ka shkruar Rama në X.