Shea: Njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia duhet të jetë pjesë e procesit të anëtarësimit të saj në BE

Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, ka deklaruar se pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur, ‘’Serbisë nuk duhet t’i hapen dyert për anëtarësim në Bashkimin Evropian’’

Jamie Shea, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. FOTO: REL

“Ju nuk mund të jeni në kampin demokratik dhe në kampin autoritar në të njëjtën kohë dhe të refuzoni të solidarizoheni me kolegët tuaj evropianë’’.

Kështu ka deklaruar, ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, në një intervistë për Albanian Post, si përgjigje ndaj veprimeve të Serbisë që ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.

Ai ka thënë se jo vetëm për këtë fakt, por edhe pa e njohur Kosovën si shtet të pavarur, “Serbisë nuk duhet t’i hapen dyert për anëtarësim në Bashkimin Evropian’’.

Ai ka theksuar se “sfida për BE-në do të jetë të udhëheqë Beogradin drejt bërjes së kësaj zgjedhjeje nga bindja dhe jo oportunizmi’’.

“Për më tepër, njohja e Kosovës si një fqinj i pavarur duhet të jetë pjesë e procesit të pranimit të Serbisë në BE’’, ka shtuar ai.

Ndërsa për tensionet e fundit në Veri të Kosovës, ai ka theksuar se roli i BE-së si “ndërmjetësi i ndershëm” midis Kosovës dhe Serbisë  është absolutisht vendimtar, por ai ka thënë se ShBA dhe Britania e Madhe, duhet të angazhohen në mënyrë të barabartë në ushtrimin e presionit ndaj të dyja vendeve.

“Pikëpamja ime është se mund të ketë fleksibilitet në zbatimin për t’i mundësuar komunitetit etnik serb në veri të Kosovës të përshtatet dhe të jetë në gjendje t’i ngasin veturat e tyre përpara dhe mbrapa përtej kufirit me targat e vjetra gjatë një periudhe tranzicioni’’.

Po ashtu Shea më 24 gusht në një intervistë për REL, ka thënë se është NATO-ja ajo që e garanton sigurinë në Kosovë dhe jo Serbia.

Këto komente, ish-zyrtari i lartë i NATO-s i ka dhënë pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se nëse NATO-ja nuk e bën punën e vet, Beogradi do të ndërhyjë “për të mbrojtur” serbët në Kosovë.

“Mendoj se NATO-ja duhet t’i tregojë Beogradit se është plotësisht në gjendje të vazhdojë mandatin e saj, që është ruajtja e sigurisë, duke përfshirë edhe serbët, dhe se Beogradi nuk ka asnjë rol në Kosovë, në këtë drejtim”.

Shea shfaq shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të situatës. “Kemi të bëjmë me një luftë diplomatike, e jo luftë ushtarake”, ka thënë ai.

I pyetur për masat e sigurisë me një shtator, datë në të cilën është paralajmëruar se Qeveria e Kosovës do t’i implementojë vendimet e saj në lidhje me targat dhe dokumentet për hyrje-dalje, Shea ka thënë se KFOR-i i ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe se janë të përgatitur.

“Atje ndodhet KFOR-i. [Mbi] 3.700 trupat e NATO-s në Kosovë janë, padyshim, të vetëdijshme për situatën. Kanë qenë qëkur ka shpërthyer problemi në korrik. Janë vendosur në rrugët kryesore, sidomos në veri, duke mbajtur sytë kah kufijtë dhe duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës. Shpresojmë se nuk do të ketë probleme, nuk do të ketë bllokada në rrugë nga serbët lokalë. Por, jam i sigurt se KFOR-i, duke e ditur afatin e 1 shtatorit, është mirë i përgatitur”, ka deklaruar ai.

Ai shton se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, të heqin dorë nga retorika nxitëse. Ai e ka kritikuar presidentin e Serbisë, i cili kishte thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova.

“Shpresoj, sidomos pas takimit në Bruksel më 18 gusht, të organizuar nga BE-ja, palët [Kosova dhe Serbia] të heqin dorë nga retorika nxitëse. Kam dëgjuar [presidentin serb] Aleksandar Vuçiq të ketë thënë se kosovarët duan që popullata serbe të largohet nga Kosova. Ky është absurditet total. Të gjithë e dimë. Pra, të hiqet dorë nga kjo retorikë, e cila nxeh situatën”, është shprehur ai.

Shea ka theksuar se me vetë faktin që NATO/KFOR-i, gjendet ende në Kosovë pas 23 vjetëve, tregon që situata ende nuk është stabilizuar plotësisht.

“KFOR-i [misioni paqeruajtës i NATO-s] është ende në Kosovë. NATO-ja ka lënë Afganistanin – edhe pse e di se është një rrëfim tjetër. NATO-ja ka lënë Bosnjën, e cila është dorëzuar te BE-ja, shumë vite më parë. Por, NATO-ja është ende në Kosovë. Natyrisht, nuk i ka më 40.000 trupa, i ka [mbi] 3.700. Por, fakti që janë atje, tregon se situata nuk është stabilizuar dhe normalizuar ende tërësisht. NATO-ja në Bruksel duhet të ketë trupa rezervë, që mund të dërgohen shpejt në Kosovë, në rast të krizës. Duhet të ketë një plan evakuimi, po ashtu”, ka deklaruar Jamie Shea.

Shea e ka cilësuar si vendim të mirë shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, duke thënë se kjo e shton sigurinë në atë pjesë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika