Jamie Shea, i cili ishte zëdhënësi i Aleancës Veri Atlantike(NATO), gjatë kohës së bombardimeve të caqeve serbe në Kosovë, ka dhënë një deklaratë për mediumin kroat index.hr, lidhur me situatën e përgjithshme të sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Shea ka theksuar se, Bashkimi Evropian(BE) duhet të përshpejtohet në rajonin e Ballkani Perëndimor pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë.
“Bashkimi Evropian më në fund e ka kuptuar se kjo është një temë e rëndësishme. Politika e kaluar ishte e keqe, ku e vuri të gjithë përgjegjësinë për anëtarësim në kurrizin e vendeve të rajonit. BE-ja duhej të ndihmonte më shumë dhe të ishte më aktive për të ndihmuar transformimin e rajonit”, kishte bërë thirrje Shea.
Sipas tij, në Ballkani Perëndimor është rritur interesimi i Perëndimit pasi, e ka parë trysnin që po bëhet mbi palët Kosovë-Serbi që të arrihet marrëveshja përfundimtare.
“Tani kemi sërish shumë aktivitete, shohim se kancelari gjerman, Olaf Scholz, organizoi një takim mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pati një turne të madh në rajon. I dërguari i SHBA-së, Gabriel Escobar është gjithashtu aktiv. Perëndimi tregon sërish se Ballkani është i rëndësishëm për të”, ka deklaruar ai.
Ndërsa Shea, ka sugjeruar një qasje më fleksibile në raport me vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë një qasje më fleksibile dhe t’u sigurojë vendeve kandidate disa përfitime nga anëtarësimi, veçanërisht në aspektin ekonomik. Disa në Bruksel mendojnë se është e nevojshme të ndryshohen traktatet bazë të BE-së, gjë që nuk është asnjëherë e lehtë, por çështja është se po kërkohet një zgjidhje inovative”, e ka përmbyllur Shea.
Jamie Shea kishte kontribuuar në NATO, për një periudhe prej 38 vjetësh, gjatë asaj periudhe, ai kishte mbajtur një sërë postesh të larta në një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë marrëdhëniet me jashtë, shtypin dhe median, si dhe politikat e planifikimit.
Ndërsa tani, ai është pjesëtar i Grupit të Këshilltarëve Strategjikë të Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-së në SHAPE në Belgjikë.