Shefi i EULEX-it, Lars Gunnar-Wigemark, ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se këto sulme janë akte kriminale dhe duhet të ndalen menjëherë.
Po ashtu, Wigemark ka deklaruar se EULEX-i do t’i shtojë patrullimet në atë zonë.
Këtë deklaratë ai e ka bërë të ditur në rrjetin social Twitter.
“Të shtënat në liqenin e Gazivodës – Ujmanit janë edhe një sulm me zjarr ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë edhe veprime kriminale dhe duhet të ndalojnë menjëherë. EULEX-i do të rrisë patrullat në atë pjesë”, thuhet në postimin e kreut të EULEX-it.
Today’s shooting at Lake Gazivoda/Ujmani is yet another attack with fire arms on the Kosovo Police. Nobody was injured, but these attacks are not only dangerous, they are criminal acts and need to cease immediately. @EULEXKosovo will increase its patrols in the area.
— Lars-Gunnar Wigemark (@LarsGWigemark) August 6, 2022
Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se sulmi është duke u hetuar.
Ai ka bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) në Zubin Potok, është qëlluar rreth 10 herë sot, derisa po bëheshin gati për një kontrollë rutinore me barkë në Liqenin e Ujmanit.
“Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, ka shkruar kreu i shtetit në Twitter.
“Fatmirësisht, shpëtuam pa viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë për këtë rast. Sot, në rrugë nuk ka barrikada”, ka shtuar Kurti.
Gjithashtu, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për sulmin e ndodhur të shtunën, ndaj policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit në Zubin Potok.
Sipas tij, grupet ilegale serbe kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar ose për t’i vrarë ata.
Ndërkaq, Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës do të mbetet e angazhuar të kryejë detyrën e tyre, dhe se për asnjë kush nuk do të tërhiqen nga e drejta e tyre pavarësisht çdo sulmi të organizuar.
Sveçla: Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit
Kurti për të shtënat në Ujman: Është duke u zhvilluar një hetim i plotë