Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar për dorëheqjen e tre policëve të rinj serbë të Kosovës të cilët sapo ishin rekrutuar.
Në platformën “X”, Barbano ka shkruar se EULEX-i po i përcjell nga afër këto zhvillime.
“EULEX-i po përcjell nga afër këto zhvillime shqetësuese. Përbërja e Policisë duhet të reflektojë dhe të përfaqësojë shoqërinë që i shërben dhe e mbron”, ka shkruar Barbano në platformën “X”.
Barbano ka thënë se EULEX-i është i përkushtuar ta përkrahë Policinë e Kosovës.
“Anëtarët joshumicë të PK-së mund të kontribuojnë në sigurinë e komuniteteve të tyre përmes punës së tyre të orientuar nga komuniteti. Misioni është i përkushtuar të mbështesë përpjekjet e PK-së që synojnë zhvillimin e policisë efektive, efikase, përfaqësuese dhe të përgjegjshme në fushëveprim më të gjerë të sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka njoftuar se ka pasur takim me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Të njëjtin e ka cilësuar si takim mjaft produktiv.
“SHBA-ja është partner i rëndësishëm i familjes evropiane, dhe kemi diskutuar se si të avancojmë prioritetet tona të përbashkëta në fushën e institucioneve të sundimit të ligjit dhe në promovimin e praktikave më të mira”, ka shkruar Barbano.