Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka thënë të enjten se ai ishte “thellësisht i shqetësuar” për programin e inteligjencës artificiale të qeverisë kineze , duke pohuar se ai “nuk ishte i kufizuar nga sundimi i ligjit”.
Duke folur gjatë një sesioni paneli në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, Wray ka theksuar se ambiciet e Pekinit për inteligjencën artificiale ishin “ndërtuar në krye të sasive masive të pronësisë intelektuale dhe të dhënave të ndjeshme që ata kanë vjedhur gjatë viteve”, shkruan AP.
Ai tha se e pa kontrolluar, Kina mund të përdorë përparimet e inteligjencës artificiale për të çuar më tej operacionet e saj të hakerimit, vjedhjen e pronës intelektuale dhe shtypjen e disidentëve brenda dhe më gjerë.
“Kjo është diçka për të cilën ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe mendoj se të gjithë këtu duhet të jenë thellësisht të shqetësuar për të”, ka thënë ai.
Më gjerësisht, ai ka vijuar, “Al është një shembull klasik i një teknologjie ku unë kam të njëjtin reagim çdo herë. Unë mendoj, ‘Uau, ne mund ta bëjmë këtë?’ Dhe pastaj mendoj, ‘O zot, ata mund ta bëjnë këtë’”.
Shqetësime të tilla janë shprehur prej kohësh nga zyrtarët amerikanë. Në tetor 2021, për shembull, zyrtarët e kundërzbulimit amerikan lëshuan paralajmërime për ambiciet e Kinës në AI si pjesë e një përpjekjeje të ripërtërirë për të informuar drejtuesit e biznesit, akademikët dhe zyrtarët e qeverisë lokale dhe shtetërore për rreziqet e pranimit të investimeve ose ekspertizës kineze në industritë kryesore.
Në fillim të atij viti, një komision i AI i udhëhequr nga ish-CEO i Google, Eric Schmidt, i kërkoi SHBA-së që të rrisë aftësitë e saj për të kundërshtuar Kinën, duke përfshirë ndjekjen e armëve “të aktivizuara me AI”.
Një zëdhënës i Ambasadës Kineze në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese që kërkonte koment të enjten në lidhje me komentet e Wray. Pekini ka akuzuar vazhdimisht Uashingtonin për nxitje të frikës dhe ka sulmuar inteligjencën amerikane për vlerësimet e saj ndaj Kinës.