Ndonëse pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin cak i sulmeve në veri të Kosovës, Ilir Kerçeli – shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, ka thënë se qeveria aktuale, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, nuk është fajtore për problemet që po ndodhin në institucionin e policisë.
Ai ka theksuar se nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë paga më të larta, “por as nuk është faji i kësaj qeverie e as i policëve për këto 13 muaj qeverisje, për këto probleme”.
“Nuk është momenti e nuk është as koha e nuk është as mirë që këto tema e këso lajme të prodhohen në këto ditë, kur dje veç u bë edhe sulmi i pestë mbi policinë e Kosovës brenda 72 orëve”, ka shkruar ai.

Derisa sigurimi shëndetësor dhe kushtet e punës janë edhe kërkesat e policëve, Kërçeli, përmes një postimi në Facebook, nuk e ka parë të përshtatshme kohën kur po raportohen temat e tilla. Kjo, për shkak të sulmeve të vazhdueshme ndaj policisë gjatë ditëve të fundit.
Ai ka thënë se është koha për motivim, “kurajo e mbështetje për policinë ashtu si e meritojnë në çdo ditë të jetës tonë në vendin tonë”.
Ndërkaq, të premten në mëngjes, policë të Kosovës janë sulmuar me granatë dore e kallashnikov. Këtë sulm ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka quajtur terrorist.

Lidhur me këtë, Sindikata e policisë së Kosovës ka thënë se kjo pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policorë.
“Këto janë rastet më të freskëta që institucionet e Kosovës ta kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që ta përmirësojnë mirëqenien dhe t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor si dhe kushtet e punës”, thuhej në reagim.
Ndryshe, më 15 prill të vitit 2022, përmes një konference të jashtëzakonshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë më drejtorin e policisë, Samedin Mehmeti, kishin bërë të ditur se në mëngjesin e së premtes dy vetura të Policisë së Kosovës, të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, ishin sulmuar, me armë automatike dhe granatë dore.

Ministri Sveçla kishte potencuar se brenda katër ditësh kanë ndodhur katër sulme që lidhen me njëri-tjetrin, teksa shtonte se këto sulme vijnë si pasojë e luftës ndaj krimit, korrupsionit dhe kontrabandës që po e luftojnë bashkë me Policinë e Kosovës.