Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi të hënën se dhuna midis palëve ndërluftuese në Sudan “mund të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë”.
Antonio Guterres tha në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi multilateralizmin se situata në Sudan “vazhdon të përkeqësohet”.
Të paktën 427 njerëz janë vrarë dhe pothuajse 4.000 janë plagosur në dhjetë ditë luftime midis forcave besnike të dy gjeneralëve rivalë.
“Dhuna duhet të ndalet. Ajo rrezikon një konflikt katastrofik brenda Sudanit që mund të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë,” tha ai, shkruan REL.
Guterres shtoi se ai është “në kontakt të vazhdueshëm me palët në konflikt dhe u ka bërë thirrje atyre që të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të kthehen në tryezën e bisedimeve”.
“Ne të gjithë duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të tërhequr Sudanin nga skaji i humnerës”, tha ai, duke përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim.
Komentet e tij erdhën pasi OKB-ja tha se kreu i misionit të saj Volker Perthes do të qëndrojë në Sudan pavarësisht një eksodi masiv të të huajve.
“Më lejoni të jem i qartë: Kombet e Bashkuara nuk po largohen nga Sudani,” tha Guterres.
“Angazhimi ynë është ndaj popullit sudanez, në mbështetje të dëshirave të tyre për një të ardhme paqësore dhe të sigurt. Ne qëndrojmë me ta në këtë kohë të tmerrshme,” tha ai.
Britania ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit për Sudanin, i cili pritet të zhvillohet të martën, sipas një diplomati.