Giovanni Pietro Barbano është gjeneralmajor i karabinierisë së Italisë, ka më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë dhe operacione të paqes. Tanimë, ai u bë shef i EULEX-it.
Barbano u shpreh se do të punojë me integritet e profesionalizëm për të vazhduar moton e misionit “Partneritet për drejtësi”.
“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë,”, është shprehur Barbano.
Barbano shtoi se EULEX-i do të vazhdojë t’i monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor, prokurorial e gjygjësor, gjithashtu edhe në nivel korrektues. Gjithashtu tha se monitorimi do të përqëndrohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë për gjykime të drejta, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, duke përfshirë komunitetet joshumicë në Kosovë.
“Ndjehem i nderuar nga besimi që Shtetet anëtare më kanë dhënë, dhe me padurim pres të vazhdoj trashëgiminë e paraardhësit tim, Lars-Gunnar Wigemark”, ka thënë Barbano.
Barbano pason diplomatin suedez, ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark, i cili ka përfunduar detyrën e tij si shef i misionit të EULEX-it më 25 qershor.
EULEX-i ka filluar punën në vitin 2008 dhe mandati aktual i tij mbulon periudhën deri më 14 qershor 2025, bazuar në Vendimin e Këshillit 2023/1095.