Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u zotua të shtypte një kryengritje të armatosur pasi ushtria private e shefit mercenar Yevgeny Prigozhin mori kontrollin e një qyteti jugor si pjesë e një përpjekjeje për të rrëzuar udhëheqjen ushtarake.
Në kryengritjen e parë të armatosur të Rusisë që nga luftërat çeçene dekada më parë, luftëtarët e “Wagner”-it kanë kontrollin e rrugëve të Rostov-on-Don, një qytet me më shumë se një milion banorë afër kufirit me Ukrainën.
Prigozhin, ushtria private e të cilit zhvilloi betejat më të përgjakshme në Ukrainë, edhe pse u grind për muaj të tërë me drejtuesit e lartë, tha se kishte pushtuar selinë e Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë pasi udhëhoqi forcat e tij në Rusi nga Ukraina.
Në Rostov, i cili shërben si qendra kryesore logjistike për të gjithë forcën pushtuese të Rusisë, banorët u përqendruan, duke filmuar në telefona celularë, ndërsa luftëtarët e “Wagner”-it me automjete të blinduara dhe tanke të mëdha beteje zunë pozicione në qendër të qytetit.
Një burim rus i sigurisë i tha Reuters se luftëtarët e “Wagner”-it kishin kapur gjithashtu objekte ushtarake në qytetin Voronezh, më në veri në rrugën drejt Moskës, ku guvernatori tha se operacionet ishin duke u zhvilluar për të shuar kryengritjen. Reuters nuk mund të konfirmonte në mënyrë të pavarur situatën atje.
Ndërkaq, siç raporton Reuters, në Moskë ka pasur një prani të shtuar të sigurisë në rrugë.
“Ambiciet e tepërta dhe interesat e veta kanë çuar në tradhti”, tha Putin në një fjalim televiziv. “Është një goditje për Rusinë, për popullin tonë. Dhe veprimet tona për të mbrojtur atdheun kundër një kërcënimi të tillë do të jenë të ashpra. Të gjithë ata që shkelën qëllimisht në rrugën e tradhtisë, që përgatitën një kryengritje të armatosur, që morën rrugën e shantazhit dhe metodave terroriste, do të vuajnë dënimin e pashmangshëm, do të përgjigjen si para ligjit, ashtu edhe para popullit tonë.”
Prigozhin nuk vonoi dhe iu përgjigj presidentit Putin duke thënë se ai dhe njerëzit e tij nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin.
“Presidenti bën një gabim të thellë kur flet për tradhti. Ne jemi patriotë të atdheut tonë, kemi luftuar dhe po luftojmë për të”, tha Prigozh në një mesazh audio. “Ne nuk duam që vendi të vazhdojë të jetojë në korrupsion dhe mashtrim.”
Prigozhin kërkoi që ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Valery Gerasimov të vinin për ta parë atë në Rostov.
Prigozhin, një ish-i dënuar dhe aleat për një kohë të gjatë i Putinit, drejton një ushtri private që përfshin mijëra ish-të burgosur të rekrutuar nga burgjet ruse.
Njerëzit e tij morën luftimet më të ashpra të luftës 16-mujore të Ukrainës, duke përfshirë betejën e zgjatur për qytetin lindor të Bakhmut.
Ai sulmoi për muaj të tërë kundër drejtuesve të lartë të ushtrisë së rregullt, duke akuzuar gjeneralët për paaftësi dhe për ndalimin e municioneve nga luftëtarët e tij. Këtë muaj, ai kundërshtoi urdhrat për të nënshkruar një kontratë që vendoste trupat e tij nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ai nisi kryengritjen e dukshme të premten pasi pretendoi se ushtria kishte vrarë një numër të madh luftëtarësh të tij në një sulm ajror. Këtë, Ministria e Mbrojtjes ruse e ka mohuar.