Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Shefqet Kabashi, iu drejtua Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke iu thënë se nuk mund të bashkëpunojë me prokurorët, pasi sipas tij, ata dëmtojnë shumë njerëz.
Kjo deklaratë e Kabashit, erdhi pasi prokurori pyeti atë se a ishin të vërteta deklaratat që kishte dhënë në gjykimin ndaj Fatmir Limajt.
“Ju e dini se unë vetë nuk kam vendosur, nuk ka qenë gatishmëri dhe vendimi për të ardhur këtu. Megjithatë, jeni përpjekur që t’i gjeni të gjitha mënyrat e mundshme, në mënyrë të tillë të më sjellni këtu dhe për këtë arsye nuk mund të bashkëpunoj me ju, sinqerisht me prokurorët sepse ju dëmtoni shumë njerëz, keni dëmtuar kaq shumë njerëz, përfshirë dëshmitarët dhe gjithë vendin tim”, ka thënë Kabashi.
Kabashi ka thënë se deklaratat e tij të dhëna në gjykimet e mëhershme, janë keqkuptuar.
Ai është pyetur rreth deklaratave të tij për vrasjen e Rrok Berishës. Kabashi pohoi se ka folur me të vetëm pas luftës në vitin 2003 apo 2004, lidhur me një ngjarje të vitit 1998.
Prokurori: Kur iu pyeta më parë pse dëshmuat në rastin Limaj iu përmendët urdhra që keni marrë si anëtar i UÇK-së. Keni marrë urdhër për të vrarë Rrok Berishën, pasi morët urdhrin shkuat për të folur me të dhe i treguar për këtë urdhër. Dëshmuat se pasi folët me Rrok Berishën nuk e vratë. Keni folur më ndonjëherë me të?
Shefqet Kabashi: Vetëm pas luftës në 2003 apo 2004. Nuk më kujtohet disa herë kam folur. Kur përdorën emrin tim duke thënë se isha në anën tjetër të luftës, të isha njeri i keq, vendosa që të shkruaj në Bota Sot për një javë duke rrëfyer gjithçka për familjen time dhe për veten.
Prokurori: Kur e takuat Rrok Berishën çfarë diskutuat z.Kabashi?
Shefqet Kabashi: Diskutuam shumë gjëra.
Prokurori: Për çfarë e kishte fjalën, çfarë tha?
Shefqet Kabashi: Për rastin e 1998 kur shkova në shtëpinë e tij. Unë e njihja Rrok Berishën, njihja edhe familjen e tij. Ishte familja e mirë shqiptare. Kishte një keqkuptim.