Pas zhvillimeve të fundit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) pati reagime të shumta si nga pushteti por edhe nga opozita e shoqëria civile.
Se si janë parë këto reagime në sistemin e drejtësisë, avokati, Florim Shefqeti ka thënë se nuk janë parimore, pasi sipas tij, më herët ka pasur deklarata nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se nuk duhet të ketë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë.
Sipas tij, pushteti legjislativ e ekzekutiv duhet ti mbajë duart larg sistemit prokurorial e gjyqësor.
“Realisht ne i kemi përcjellur me vëmendje, këto reagime nuk janë parimore me deklaratat e kryeministrit Kurti çka ka proklamuar më herët lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, në parim të gjitha janë të pavarura, por në secilën rrethanë pushteti legjislativ e ekzekutiv duhet ti mbajnë duart larg sistemit prokurorial e gjyqësor”, ka thënë Shefqeti.
Ndryshe, më 18 gusht në bastisjet që ka realizuar Policia e Kosovës në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka arrestuar dy punonjës të këtij dikasteri.
Të arrestuarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Policia gjatë bastisjes në pronën dhe biznesin e Ridvan Muharremit, e ka arrestuar të njëjtin si njëri nga personat e dyshuar në këtë rast.
Të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit.
Aksioni është zhvilluar pas publikimit të disa audioincizimeve nga gazeta “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të MINT-it të cilët pretendojnë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë, edhe pse për atë sasi shteti kishte paguar.